TIRANË- Partia Demokratike ka akuzuar kryeministrin se ka marrë në dorë emërimin e drejtorit të Agjensisë së Inteligjencës së Mbrojtjes duke i marrë kështu kompetencat Presidentit.

Në një deklaratë për media, deputeti demokrat flamur Noka, “tha se “Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish Presidentin e Republikës duke i hequr atij një kompetencë kushtetuese. Me projektligjin që ka paraqitur në Kuvend, Edi Rama merr në dorë emërimin e kreut të Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes.”

 Sipas Nokës, “me këtë skemë të rrezikshme, Edi Rama po tenton të kontrollojë personalisht Shërbimin Inteligjent të Ushtrisë, por dhe të rrisë kompetencat e tij duke shkuar drejt një dublimit të Shërbimin Informativ të Shtetit.”

Nënkryetari i komisionit të Sigurisë, thotë se këtë hap, kryeministri Rama e ka ndërmarrë pasi “kërkon një shërbim informativ të ushtrisë që të mos denoncojë aferat e rënda kriminale të trafikut të drogës, por kërkon ta ketë si armë politike në duart e tij.”

“Në revanshin për të marrë sa më shumë kompetenca dhe për ta zhveshur Presidentin nga roli i tij kushtetues, Edi Rama ka miratuar dy ditë më parë dhe projektligjin që i mundëson kryeministrit dhënien e gradave”, vijon Noka.
 
Kryeministri po e fut ushtrinë në kursin e politizimit të plotë, duke marrë në dorë edhe shpërndarjen e gradave, që tashmë do të jenë partiake.

Redaksia online
(esh/shqiptarja.com)