TIRANË, 24 Gusht/ATSH/.- Partia Demokratike protestoi sot para zyrës së Partisë Socialiste në Sarandë ku përfaqësuesi i deputetit Kokëdhima, kërkoi favor seksual me një të mitur, në këmbim të një vendi pune.
PD e konsideron këtë një akt të rëndë, një shenjë të ngritjes në sistem të Partisë-Shtet, që nuk mund të kalohet me një 'twitter' nga Kryeministri.
Koordinatori për Ndihmë Ligjore, Ervin Salianji kërkoi drejtësi të shpejtë dhe hetim të të gjithë zyrave të PS-së në rrethe dhe hetim te mekanizmit joligjor që ato aplikojnë për punësimet, e shërbimet e tjera.
"Jemi sot këtu për t'i thënë edhe njëherë tjetër kryeministrit që ngjarja e skandalit seksual është një ngjarje e cila nuk mund të kalohet me një cicërimë në twitter. Për ne kjo është skenë krimi. Qytetarët kërkojnë punë ai u ofron shifra, qytetarët shkojnë në zyrat e punësimit këta u kërkojnë para dhe favore seksuale në këmbim të punës. Kanë kthyer dhe po glorifikojnë nocionin e partisë-shtet", tha Salianji.
PD, shtoi ai, kërkon drejtësi të shpejtë për këtë çështje dhe hetim të plotë në të gjitha zyrat e PS-së, që janë kthyer në punishte të favoreve të oligarkëve në pushtet.
/a.s//m.m/