Koordinatorja e PD për mediat, Silvi Bardhi tha se qeveria duhet të tregojë se pse drejtori i Ujësjellësit ka ndryshuar emër si dhe cilat janë kriteret e përzgjedhjes së tij.
“Partia Demokratike kërkoi ditë më parë një shpjegim nga Kryeministri Edi Rama për emërimin e dyshimtë të Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit. Por kaluan 6 ditë dhe Rama nuk dha asnjë përgjigje për emërimin e tij flagrant. Ndaj, sërish sot, ne po i drejtojmë të njëjtat pyetje kryeministrit. z.Rama cili është kriteri i ndjekur në emërimin e Drejtorit të Ujësjellësit të Patosit? z.Rama, pse drejtori i Ujësjellësit të Patosit, ka ndryshuar emrin? A e ka ndryshuar emrin, sepse ka pasur probleme me drejtësinë greke? z.Rama, sa vite burg për trafik droge ka bërë në Greqi, drejtori juaj i ujësjellësit në Patos? Cili është kumbari politik i drejtorit të ujësjellësit, që ka ndërhyrë tek ju për këtë emërim? Partia Demokratike është në pritje të përgjigjes nga kreu i qeverisë, për të bërë transparencën e emërimeve të tij në krye të institucioneve që duhet t’u shërbejnë qytetarëve dhe jo interesave kriminale e politike.” u shpreh Bardhi
Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)