TIRANË- Ndonëse Shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino e mohoi, Partia Demokratike këmbëngul që karantina për personat e prekur nga koronavirusi është ndërtuar në Kavajë, deklaratë kjo e bërë më herët edhe nga ish- kryeministri Sali Berisha.

Është sekretari i Përgjithshëm iPD-së, Gazment Bardhi i cili ka reaguar sërish lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar si një papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë që karantina të ngrihet në një zonë shumë të populluar. Ai thotë se ka informacione lidhur me një urdhër që ka dhënë ministria e shëndetësisë për ta kthyer këtë spital në karantinë dhe se për këtë kanë nisur edhe përgatitjet.

"Sot në repartin e patologjisë dhe urgjencës në Spitalin e Kavajës kanë nisur përgatitjet, me urdhër të Ministres së Shëndetësisë, për ta kthyer në Karantinë. Kjo është papërgjegjshmëri! Zgjedhja e një spitali të një qendre të banuar për Karantinë është kërcënim serioz për jetën e të gjithë banorëve. Ky është një provokim i rëndë me Kavajën! I bëj thirrje të gjithë bashkëqytetarëve të mi të mos e pranojnë trajtimin nga Edi Rama si banorë të parëndësishëm, jeta e të cilëve nuk ka rëndësi për Kryeministrin. Karantinën ta ndërtojë në shtëpinë e tij në Surrel, jo në Kavajë", shkruan Bardhi.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit

Në deklaratën që Bino bëri më herët, konfirmoi se është ngritur një karantinë spitalore, në një spital në vend, por pa dhënë emrin e tij, me argumentin për të mos përhapur panik tek njerëzit pranë kësaj zone. Ajo mohoi në mënyrë kategorike që një karantinë e mundshme të jetë në Spitalin e Kavajës, siç ka akuzuar ish-kryeministri Sali Berisha më herët dhe Bardhi së fundmi duke thënë se karantina duhet të jetë larg qendrave të banuara ku ka pamundësi për përhapjen e infeksionit.  " Unë nuk e di pse ajo është zbrazur, ajo (Spitali i Kavajës) nuk është qendra që kemi përcaktuar si qendër shtesë për karantinë. Nëse do të ketë shumë raste janë përzgjedhur edhe struktura që i plotësojnë këto kushte", tha më herët doktoreshë Bino.