PD: Reforma në Drejtësi në rrezik
ekspertët të PS-së  PDF-Letra

PD: Reforma në Drejtësi në rrezik<br />ekspertët të PS-së  PDF-Letra
TIRANE- Partia Demokratike i ka shprehur edhe trojkës së ambasadorëve, BE, SHBA dhe OSBE, shqetësimin e saj për reformën në sistemin e drejtësi. Përmes një letre që mban firmën e nënkryetarit demokrat të komisionit ad hoc, Eduard Halimi, e datës 7 tetor, demokratët i kërkojnë ambasadorëve të tregojnë vigjilencë, pasi sipas tyre drafti u hartua nxitimthi dhe në mungesë totale transparence. Sipas PD, procesi i hartimit të ndryshimeve kushtetuese nga grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, u ndikua nga fshehtësia dhe njëanshmëria, duke theksuar edhe përjashtimin e opozitës nga të gjitha diskutimet për hartimin e draftit të ndryshimeve Kushtetuese.

Demokratët theksojnë gjithashtu dokumenti i hartuar është bërë nga tre ekspertë të caktuar nga kryeministri Rama, të njohur, sipas PD, për njëanshmërinë e plotë dhe afilacionin me Partinë Socialiste dhe se ata kanë qenë më të shumtë në numër se ekspertët ndërkombëtarë. “Faktet janë botërisht të ditura se drafti është bërë nga tre ekspertët e caktuar nga Rama, të njohur për njëanshmërinë e plotë dhe afilacionin me PS, dhe se ata kanë qenë më shumë se 3 në numër ndërsa ndërkombëtarët jo me shumë se 2”, thuhet në letrën e Halimit.

Për këtë arsye, nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi, kërkon që ndërkombëtarët të jenë të vëmendshëm ndaj këtij procesi teksa thekson qëndrimin se opozita parlamentare nuk do të pranojë të ketë rol fasadë në realizimin e reformës në drejtësi. “Është hera e parë në këto 25 vjet në Shqipëri, që hartohen ndryshime të tilla thelbësore kushtetuese, në fshehtësi të plotë, dhe opozitës parlamentare apo ekspertëve të caktuar prej saj, nuk i jepet asnjë mundësi për të kontribuar në përgatitjen e tyre apo për të dhënë mendim mbi to, edhe pse votimi i amendamenteve kushtetuese në Kuvend kërkon ligjërisht edhe votat e deputetëve të opozitës!

Kryeministri dhe përfaqësuesi i tij në Komision, Xhafaj në mënyrë të vazhdueshme publike kanë deklaruar se këto amendamente janë hartuar nga ekspertiza ndërkombëtare. Ky deklarim është i pavërtetë. E vërteta është se grupi që prezantoi këtë projektligj për ndryshimet kushtetuese përbehej nga 3 ekspertë vendas të caktuar nga mazhoranca dhe 2 ekspertë ndërkombëtare. E vërteta është se ekspertët e opozitës u përjashtuan tërësisht në mënyrë të qëllimshme dhe madje iu fsheh drafti i ndryshimeve kushtetuese”, thuhet në letër. Duke ngritur shqetësimin e kapjes së sistemit të drejtësisë, deputeti demokrat në letrën drejtuar përfaqësive diplomatike të BE, SHBA dhe OSBE në Tiranë, rendit edhe argumentet e këtij pretendimi.

“Hapi i parë është, spastrimi i prokurorëve dhe gjyqtarëve aktual nëpërmjet procedurave të pezullimit të garancive kushtetuese të palëvizshmërisë në detyrë. Testimi qeveritar për njohuritë nëpërmjet provimit. Spastrimi do të pasohet nga emërime të reja në sistem, ku shmanget kushti vendimtarë i përfundimit të Shkollës së Magjistraturës. Të gjitha emërimet që do kryhen në 10 institucionet e reja që krijohen bëhen me 84 vota, të cilat zotërohen nga mazhoranca aktuale.

Në të paktën 8 institucione të reja rritet pjesëmarrja e përfaqësuesve të emëruar nga politika. Ndaj vigjilenca juaj ndaj procesit është thelbësore në këto momente”, thuhet në letër. Në përfundim të letrës së tij, nënkryetari demokrat i komisionit të posaçëm, kërkon që të jenë ndërkombëtarët ata që do të bëjnë mbivendosjen e dy drafteve dhe zgjidhjet më të mira t’u nënshtrohen tryezave publike.
 
Shqetësimi 
“Mungesa totale e transparencës që vijon ende pa asnjë plan për diskutim të hapur publik të tij, për ne rrezikon plotësisht procesin e Reformës në Drejtësi, duke përpjekur të eliminojë konsensusin”
 
Ekspertët
“Faktet janë botërisht të ditura se drafti është bërë nga tre ekspertë të caktuar nga Rama, të njohur për njëanshmërinë e plotë dhe afilacionin me PS dhe se ata kanë qenë më shumë se tre në numër, ndërkombëtarët vetë dy”

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

“Kthimi i ushtrisë së vdekur” shfaqet në 4K pas restaurimit

“Kthimi i ushtrisë së vdekur” shfaqet në 4K pas restaurimit