PD premton ripërtëritje, por jo në kupolën drejtuese të saj. Dy muaj pas rizgjedhjes pa garë në krye të PD, Sali Berisha zgjedh ekipin e ngushtë, por edhe këtu pa shumë surpriza.
Të mërkurën anëtarët e Këshillit Kombëtar janë thirrur për të votuar mbi kupolën drejtuese, që nga Sekretari i Përgjithshëm, nënkryetarët e Sekretariatet, të cilat do të pësojnë ndryshime të vogla por emrat kryesorë me të cilët Berisha ndryshon PD-në pritet të mbetet të pandryshuar.
Flamur Noka pritet të rikandidojë për numrin 2 të Partisë dhe siç statuti i PD e përcakton ai duhet të ketë përballë një rival.
Por, kur na ndan vetëm një ditë nga procesi, ende nuk dihet kush do jetë emri që do ta rivalizojë. Kjo, e bën të pamundur që anëtarët e Këshillit Kombëtar të kenë mundësi të njihen me profilin e rivalit të Nokës, duke mos i dhënë mundësi as për fushatë brenda partisë.
Rikonfirmim si kreu i grupit parlamentar ka Gazment Bardhi si dhe nënkryetari i Kuvendit Agron Gjekmarkaj, dhe për shkak të statutit, kjo i bën automatikisht nënkryetarë.
Tek nënkryetarët, pritet të ketë ndryshime. Veç shtimit të numrit të tyre, për këtë post, të cilin e mban aktualisht, rikandidon Luçiano Boçi e bashkë me të pritet të kandidojnë dy deputetët Belind Këlliçi dhe Klevis Balliu.
Oerd Bylykbashi, që aktualisht është nënkryetar nuk do të kandidojë më për këtë post, ndërsa risi është emri i Erisa Bajazitit, e afruar nga radhët e diasporës në PD, e cila pritet të kandidojë nënkryetare.
Edhe sekretariatet pritet të pësojnë ndryshime. Ivi Kaso njoftoi publikisht se nuk do të rikandidojë për Sekretarin e çështjeve ligjore e zgjedhore në PD, duke thënë se do t’i përkushtohet detyrës në kryesi e si deputet në Kuvendin e Shqipërisë.
Komente










