PD sfidon SHBA-BE, ankimon
në Kushtetuese ligjin e 'Vettingut'

PD sfidon SHBA-BE, ankimon<br />në Kushtetuese ligjin e 'Vettingut'
Partia Demokratike pritet të ankimojë nesër në Gjykatën Kushtetuese ligjin e "Vettingut". Burime pranë PD-së thanë për Shqiptarja.com se është përgatitur kërkesa me vërejtjet e opozitës, të cilat nuk u morën parasysh nga mazhoranca seancën e 30 gushtit. 

Edhe pse ligji i Vetingut hyn në fuqi në datën 8 tetor, në korridoret e opozitës flitet se kërkesa për rrëzimin e ligjit do të dorëzohet sot në Gjykatën Kushtetuese. Me këtë hap, nis një betejë e re për ligjin e Vetingut. Gjykata Kushtetuese është në konflikt të pastës interesi, pasi do të jetë vetë objekt i Vetingut. Ndërkaq, mbeten për t’u parë lëvizjet e ndërkombëtarëve, të cilët kanë dhënë kontributin kryesor në hartimin e ligjit.

Opozita pretendon se procesi i vettingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve është antikushtetuese. Sipas PD, pushteti ekzekutiv merr kompetenca mbi Kushtetutën e re çka sipas PD cenon në thelb pavarësinë e pushtetit gjyqësor.

Nga ana tjetër, ky qëndrim i Partisë Demokratike duket se bie ndesh me rekomandimet e SHBA-së dhe BE-së. Kjo pasi ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Donald Lu si dhe raporteri për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein u shprehën kundër ankimimit të Vettingut në Kushtetuese. Fleckenstein paralajmëroi se nëse vettingu dërgohet në Kushtetuese, atëherë Shqipëria s'do ketë mundësi të marrë rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave. Ai tha se do i kërkojë shpjegime PD-së mbi arsyet e ankimimit të "vettingut".

"Nëse Partia Demokratike e dërgon ligjin e Vettingut në Gjykatën Kushtetuese nuk e di çfarë rekomandimi prisni, pasi do të quhet e pa mbyllur. Pres nga PD të më sqarojë pse do ta çojë ligjin e Vettingut në Kushtetuese”, u shpreh Fleckenstein gjatë një interviste për Report Tv. 

Edhe ambasadori Lu ishte i drejtpërdrejtë kur deklaroi se PD rrezikon të etiketohet si parti politike kundër reformës në drejtësi. 

"Është e drejta kushtetuese e opozitës ta ankimojë ligjin e vetting në Gjykatën Kushtetuese apo të bojkotojë mbledhjet e mëtejshme të komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi. I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar, ose gjyqtarë e prokurorë tek të cilët kanë ndikim politik", është shprehur ambasadori Lu. 

Vettingu është ndër ligjet më të rëndësishme të paketës Kushtetuese të reformës në drejtësi, i cili u miratua vetëm me votat e mazhorancës më 30 gusht. 

Konflikti
Disa ditë më parë, ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, i dha një mesazh të fortë opozitës, nëse ankimonte Vetingun në Kushtetuese. “I kemi thënë udhëheqjes së Partisë Demokratike se rrezikojnë të bëhen ajo parti që populli shqiptar beson se është kundër kësaj reforme dhe se po mbron gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar”, tha Lu. Në këto kushte, vendimi i PD për ta ankimuar ligjin, është pikësëpari një sfidë dhe kundërvënie ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por, edhe më përvëlues ishte mesazhi i eurodeputetit gjerman Knut Fleckenstein dhe njëkohësisht raportues i Shqipërisë në Parlamentin Europian. “Nuk e di pse PD do e dërgojë ligjin e Vetingut në kushtetuese. Por do u kërkoj sigurisht të ma sqarojnë. Por nëse i dërgoni të gjitha ligjet në gjykatë Kushtetuese tashmë, nuk e di çfarë rekomandimi prisni për hapjen e negociatave?”, ka deklaruar Knut Fleckenstein.

Vija e kuqe
Pas konfirmimit të ligjit nga Departamenti i Drejtësisë së Shteteve të Bashkuara dhe Drejtoria e Çështjeve Ligjore të Brukselit, misioni EURALIUS në Tiranë, i vizatoi Partisë Demokratike një vijë të kuqe me katër parime për Vetingun, të cilat nuk mund të shkeleshin. EURALIUS mbrojti rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, ku vëzhguesit ndërkombëtar mund të mbledhin prova kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve. Po ashtu, EURLIUS mbrojti rolin e ILDKP në procesin e Vetingut si dhe konceptin e dëshmitarëve. EURALIUS u pozicionua kundër opozitës edhe sa i takon përcaktimit të afatit për procesin e Vetingut.

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s'do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit

Mësuesi amerikan në Tiranë mbyt gruan, vret 2 qentë e var veten! Në një letër me shkrim dore ishte përshkruar çdo veprim i autorit