PD shkel etikën në Kuvend, debat
rrugësh në seancë plenare

PD shkel etikën në Kuvend, debat<br />rrugësh në seancë plenare
TIRANE- Kuvendi u përfshi dje në një debat që do të hyjë ndoshta në histori për dhunimin total të Rregullores së Kuvendit si edhe normave etike të politikanëve. Partia Demokratike vijoi dje strategjinë e saj të bojkotit alternativ, duke kërkuar fjalën në pikën e parë të rendit të ditës, atë të miratimit të procesverbalit dhe më pas vijoi akuzat ndaj qeverisë. I pari që e nisi këtë ishte ish-kryeministri Sali Berisha, i cili kërkoi fjalën për procedurë, por vetëm për atë që nuk foli pasi filloi që të akuzonte qeverinë se kishte nënshkruar një marrëveshje të fshehtë me FMN që sipas tij, do të rrisë 10 taksa.

Por krahas kësaj, ish-kryeministri filloi me akuza të drejtpërdrejta ndaj Edi Ramës ku nga fyerje politike, kaluan në ato personale. Berisha theksoi se Rama fyen punonjësit e shtetit duke i cilësuar ato si “kokëpalarë dhe zhulsa”, duke kaluar më pas në sulmin personal ndaj kryeministrit. “Ai doli nga mbledhja e parë e themelimit të PD-së sepse qelbej erë. Ai është një zhuls që vetëm ai e di. U gjende lakuriq në plazh pa të mbathura. Shkon e fyen punonjësit, çfarë kryeministri je ti? Ti je ordiner”,- theksoi Berisha. Por këto akuza të tij vijuan me sharje të tjera nga ana e Topallit, gjë e cila degjeneroi në fyerje personale.

Për këtë, deputeti Fatmir Xhafaj kërkoi që mbledhja të ndërpritej pasi situata ishte bërë e turpshme, por kjo gjë nuk ndodhi. Në kundërpërgjigjen e tij ndaj Berishës, kryeministri Edi Rama e krahasoi atë me “Shaban Qosen”, një person komik në Tiranën e para viteve 1990. Rama theksoi se askush nuk mund t’i imponohet me fjalë e me shpifje, por vetëm me argumente, duke shtuar se Berisha po mban peng Partinë Demokratike, pasi ai po udhëheq politikën e opozitës. “Për ata që kanë ardhur në Tiranë mbas vitit '90 dhe nuk e kanë njohur, dua të shpjegoj se dikur ishte një personazh i njohur, i rrugëve të Tiranës që quhej Shaban Qosja.

U bë i famshëm për faktin se, kur nuk merrej njeri me të, u turrej njerëzve dhe thoshte çfarë ke me mua. Dhe ju sot, si shumë seanca me radhë jeni bërë si Shaban Qosja. Merrni fjalën dhe akuzoni mua, kryetarin e Kuvendit, pse ju shohim dhe buzëqeshim kur ju flisni. Se kush ja ka bërë gjuhës shqipe atë që s’ia kanë bërë as armiqtë e saj dhe se kush e ka kthyer foltoren në thertore, këtë shqiptarët e dinë shumë mirë. Se kush e ka shkatërruar etikën e komunikimit në këtë vend. Mallkimin e gjuhës shqipe ju e keni marrë, nuk e di sa do u duhet ta hiqni nga kurrizi. Ne do ju dëgjojmë, por ne do udhëheqim.

Asnjëherë dhe për asnjë arsye nuk mund të na imponoheni, përveçse me forcën e argumentit. Mos përmendni më litarin në shtëpinë e të varurit, se të varurin e keni brenda dhe ju mban të varur”- u shpreh Rama. Por menjëherë pas fjalës së kryeministrit, Berisha kërkoi që të replikonte dhe vijoi me sharje të tjera duke e kthyer aulën e Kuvendit në një klub kabareje pasi diskutimet e tij përqendroheshin në fjalë të tipit “ordiner, i palarë, mashtrues, njeri me të meta mendore” etj. “7 dekada Zoti m’i dhuroi me shëndet të plotë. Ti përmendësh këtij njeriu vitet që i ka pasur të tilla si unë dhe të krahasosh me vitet e tua, pjesërisht internale të trajtimit të konvulsioneve, të zërave që të thonë hip lakuriq mbi gomar, zërave që të thonë dil në plazh ashtu sikundër nuk del kush dhe të kesh histori tjetër është e dhimbshme shumë.

Shko e pyeti fermerët për naftën, shoferët, sigurisht ti nuk paguan asnjë qindarkë për naftën dhe sikur çmimi të shkojë 400 mijë lek, ata që paguajnë çdo një prej tyre. Ti ke krijuar një model të zi në mendjen tënde, ti kudo që shkon sheh hajdutin, të palarë, sheh gjithë patologjinë e mendjes tënde dhe pastaj paske hall për shqipen. Po shqipja nga i bazon fjalët, nga dalin fjalët e gjuhës sonë. Deputet po nis ti, përmende litarin kur ti do më falësh ti, por njëra pas tjetrës të kanë ndarë 5 gra. Cili është litari tani?”.
 

Debatet dhe batutat dhe sharjet në Kuvend
Berisha-Ramës: Po i trajton shqiptarët siç bëre me Spartak Ngjelën
BERISHA: Ai është një zhuls që vetëm ai e di. U gjende lakuriq në plazh pa të mbathura. Shkon e fyen punonjësit, çfarë kryeministri je ti? Ti je ordiner. Ata janë zgjedhësit tanë dhe ti nuk guxon t’i ofendosh
RAMA: Shaban Qosja u bë i famshëm për faktin se kur nuk merrej njeri me të, i turrej njerëzve dhe thoshte çfarë ke me mua. Dhe ju sot, si shumë seanca me radhë jeni bërë si Shaban Qosja. Merrni fjalën dhe akuzoni mua, kryetarin e Kuvendit, pse ju shohim dhe buzëqeshim kur ju flisni.
META: Hapjani mikrofonin zotit Berisha se na ka ardhur në seancë sot

BERISHA: 7 dekada Zoti m’i dhuroi me shëndet të plotë. Ti përmendësh këtij njeriu vitet që i ka pasur të tilla si unë dhe të krahasosh me vitet e tua, pjesërisht internale të trajtimit të konvulsioneve, të zërave që të thonë hip lakuriq mbi gomar, zërave që të thonë dil në plazh ashtu sikundër nuk del kush dhe të kesh histori tjetër është e dhimbshme shumë. Ti je një ordiner rrugësh, ti nuk meriton parlamentin....Një polic më shkruante se qeveria na ka tradhtuar
BRAÇE: Polici, kështu ë? 
BERISHA: Po deshët jua botoj mesazhin e atij. Ju firmosët marrëveshjen e fshehtë me FMN...
BRAÇE: Ça e fshehtë, aty ishin kamerat
RAMA-BERISHËS: Përgjigju për naftën
BERISHA: T’i s’paguan naftë, ndaj nuk ta ndien

RAMA: Fol për naftën
TOPALLI: Zoti kryetar ça është kjo, po i ndërpret fjalën Berishës
RAMA-TOPALLIT: Pusho ti mi, pusho
BERISHA: Ti po trajton shqiptarët siç trajtove Spartak Ngjelën. Ti shef njerëz të palarë, tani ke filluar edhe duke par, insekte...
TOPALLI: Zoti kryetar të mos flasin deputetët (Braçe po fliste pa mikrofon)
BERISHA: Ti ke krijuar një model të zi në mendjen tënde, ti kudo që shkon sheh hajdutin, të palarë, sheh gjithë patologjinë e mendjes tënde dhe pastaj paske hall për shqipen. Po shqipja nga i bazon fjalët, nga dalin fjalët e gjuhës sonë? Deputet po nis ti, përmende litarin kur ti do më falësh ti, por njëra pas tjetrës të kanë ndarë 5 gra. Cili është litari tani?

META: Fjalën e ka zonja Rira. Zoti Mediu ju nuk e keni kërkuar fjalën.
MEDIU: Ça është kjo kështu, dua fjalën për procedurë
META: Mos e ngrini zërin, më me qetësi. Kuvendin e drejtoj unë.
(ndërkohë po fliste Miranda Rira)
RAMA-TOPALLIT: A është deputete kjo, lëre që të flas.
TOPALLI: Po i ndërprisni fjalën një gruaje (Bregu kërkon që të marrë fjalën)
RAMA-TOPALLIT: Po ça je ti. Lërë pra të flasë se është grua
BREGU: Kërkoi fjalën, këto këtu janë anapolla...
(Çohet Berisha në këmbë për të marrë fjalën pa radhë ndërkohë që po fliste Miranda Rira)

RAMA-BERISHËS: Ulu ti, plak budalla
(Deputetët e PD-së tërbohen, fillojnë dhe fishkëllejnë dhe bërtasin kundër Ramës, godasin tavolinat me grusht)
RIRA: Të gjithë e kemi parë se si e dogji veten i ndjeri Gjergj Ndreca...
STRAZIMIRI: Është gjallë, pa merak
HALIMI: Dua fjalën si kryetari i opozitës
META: Po ça kryetar opozite je ti
BREGU: Është për këtu brenda

META: Ju jeni shprehur për më shumë sesa një orë. Nuk keni paraqitur asnjë propozim me shkrim. Ju lutem uluni, mos rrini në këmbë
MEDIU: Ju po silleni si pronar i Kuvendit dhe jo si kryetar
NOKA: Këtu po krijohet një anormalitet. Kur ne flasim për rritje çmimesh ai zotëria aty qesh, nxjerr llapën, kur ne flasim për një çështje tjetër, ai nxjerr llapën, u bë si Ver Llapa.
BERISHA: Është si Robert Çamçakëzi, si Robert Çamçakëzi
MEDIU-RAMËS: Boll u more duke përgojuar njerëz. Çoje në gjyq për ta gjykuar.
RAMA: 25 dosje konstatohen të shqyrtuara nga ish-pronarët, të gjitha të tjerat janë të paprekura.
MEDIU: Qetësohuni, mos u ekzaltoni
RAMA: Normalisht unë mund të jem shumë më i qetë se nuk i kam mashtruar ish-pronarët për 20 vjet.
MEDIU: Jeni aty për të recituar pa fakte

Vdes Gjuha Shqipe, Noka 9 herë fjalën “Llapë” në tri fjali
Flamur Noka çon në varr “Gjuhën Shqipe” duke thyer çdo normë etike në Kuvend. Duke replikuar me kryeministrin Edi Rama, ka përdorur fjalën “llapë” 9 herë në tri fjalë. Në 1 minutë replikë, Noka theksoi se kreu i ekzekutivit është bërë si Ver Llapa. “Këtu po krijohet një anormalitet. Kur ne flasim për rritje çmimesh ai zotëria aty qesh, nxjerr llapën, kur ne flasim për një çështje tjetër, ai nxjerr llapën, u bë si Ver Llapa. I mësoni etikën, mos nxjerrë llapën, të ikë nga roli i Shaban Qoses e Ver Llapës. Mban llapën nxjerrë, ja e nxorri llapën”,- theksoi Noka.

Shkrimi u publikua sot (21.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin

VIDEO/ Armando Broja luan 70 minuta me Everton, futet në fushë dhe bën protagonistin