TIRANE- Deputetja e Partisë Demokratike Mesila Doda ka kërkuar të nxirren në mënyrë të menjëhershme jashtë ligjit, të gjitha Partitë Komuniste. Reagimi i deputetes së PD-së, ka ardhur si pasojë e tentativës së disa ditëve më parë për rrëzimin e bustit të Ahmet Zogut si edhe një ditë pasi kryetari i Partisë Komuniste Reformatore ka theksuar se këtë akt e kanë kryer 3 anëtarë të forcës politike që ai drejton. Në një postim në faqen e saj në rrjetin social “facebook” Doda është shprehur se Partitë Komuniste duhet të përjashtohe me ligj nga politika shqiptare, një vendim ky që është marrë në vitin 1993 kur në pushtet erdhi për herë të parë Partia Demokratike.

“Tendenca për akte dhune dhe terroriste që këto forca ekstremiste po shfaqin, e kthejnë në domosdoshmëri ndalimin me ligj të këtyre partive. Përpara vitit'97 kanë qenë të ndaluara krijimi i partive ekstremiste komuniste apo fashiste ,nen i cili pushoi së ekzistuari pas vitit '97. Në ditët e sotme, me tendencën që po shfaqet në këto forca ekstremiste për akte terroriste dhe akte dhune, siç ishte tentativa për rrëzimin e bustit të Ahmet Zogut, bëhet domosdoshmëri rikthimi i nenit që ndalon krijimin dhe pezullon aktivitetin e këtyre mostrave politike.”, ka shkruar Doda. Sipas deputetes së PD-së, këto parti komuniste janë të rrezikshme jo vetëm për aktet e dënueshme që kryejnë por edhe për kërkesat për glorifikimin e së kaluarës dhe kërkesat për ridimensionimit të figurës së Enver Hoxhës si komandant lufte.

“Të gjithë progresistë e këtij vendi duhet të bëhen bashkë për t’i thënë “JO”, qëllimit makabër për të nderuar të kaluarën komuniste, vëllavrasëse e terroriste të këtij vendi.”, është shprehur deputetja Doda. Por kjo deklaratë e Dodës risjell në qendër të vëmendjes në debat që është hapur në vitin 1993, kur PD me nj ligj përjashtoi forcat politike komuniste.

Reagimi i Marko Dajtit
Në përgjigje të akuzave të deputetes së PD-së, Mesila Doda, kreu i Partisë së Punës së Riorganizuar Marko Dajti, ka hedhur akuza të forta ndaj PD-së duke rikujtuar pjesëmarrjen e anëtarëve të kësaj force politike në Partinë e Punës dhe ish-Sigurimin e Shtetit. “Të mos harrojë zonja Doda se më shumë se gjysma e anëtarëve të partisë së kusarëve, Partisë Demokratike, deri dy dekada më parë kanë qenë ish-anëtarë të PPSH-së, ose bashkëpunëtorët tanë të ish-Sigurimit të Shtetit.

Sa për ne, komunistët, kemi mbijetuar edhe në ilegalitet, madje kemi dalë më të fortë.”,-ka thënë Dajti. Krahas kësaj, lidhur me shtatoren e Ahmet Zogut, Marko Dajti ka deklaruar se 3 anëtarët që tentuan që të rrëzojnë shtatoren janë pezulluar nga partia përshkak se nuk ia arritën misionit duke shtuar se forca politike që ai drejton do ta rrëzoi shtatoren e Zogut në afërsi të ish-stacionit të trenit të Tiranës.

Shkrimi u publikua sot (10.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)