A1 Report siguron mesazhin për të cilin PD pretendon se i është dërguar kandidatit të tyre. Aty Kapri kërcënohet me familjen e tij, ku i sugjerohet që si motiv për dorëheqjen e tij të deklarojë ose probleme me shëndetin ose arsye personale.
“Ke tre ditë kohë për tu tërhequr nga gara. Arsyet janë shëndetësore ose personale. Pas tre ditësh një familjar i familjes tënde do zhduket. Mos të shkojë mendja te policia se pasojat do jenë të menjëhershme”, thuhet në mesazh.
(SMS kërcënuese dërguar kandidatit të PD për bashkinë Pogradec, Eduard Kapri)
Per mesazhin kercenues kandidati per Bashkine e Pogradecit ka depozituar edhe nje kallezim penal.
(Kallëzimi që ka bërë në polici kandidati i PD, Eduart Kapri)
Kreu i grupit parlamentar të PD-së Edi Paloka denoncoi më herët në një deklaratë nga selia blu se kërcënimi ndaj Kaprit vjen pasi ai shihet si një kandidat fitues përballë të zgjedhurës së LSI-së Diana Mile që garon në emër të koalicionit të majtë.
“Eduart Kapri garon përballë kandidatit të Ilir Metës. Ky kërcënim brutal, kriminal, i paprecedentë, vjen 10 ditë para mbajtjes së zgjedhjeve, në kohën kur të gjithë të dhënat flasin për një fitore të padiskutueshme të Eduart Kaprit në Pogradec. Pasi kanë dështuar në të gjitha premtimet e tyre, pasi vijnë në këto zgjedhje pa bilanc dhe pa ofertë, tani u ka mbetur vetëm një zgjidhje, të mos ketë zgjedhje. Dhe për këtë përdorin dorën mafioze për të kërcënuar dhe ushtruar presion. I bëjmë sot të ditur Ilir Metës dhe ortakut të tij Rama, se Partia Demokratike i mban ata të dy drejpërdrejt përgjegjës, nëse një fije floku i preket kandidatëve tanë, njerëzve të tyre, dhe çdo demokrati e qytetari të përfshirë në këto zgjedhje. I kërkojmë Prokurorisë të reagojë me shpejtësi, të hetojë e të zbulojë autorin e porositësin e këtij kërcënimi e ta vërë atë para ligjit”, tha Paloka.