Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi i ka bërë thirrje kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçit që në seancën e radhës të parlamentit  të përfshihen dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor të dakordësuara nga marrëveshja e 5 qershorit.  Bardhi shprehet se miratimi pa vonesa e këtyre ndryshimeve të Kodit Zgjedhor do të ndihmonte në integrimin e vendit dhe tregonte vullnetin politik për të ecur para me plotësimin e kushteve për të hyrë në BE.

"Miratimi pa vonesa i ndryshimeve konsensuale në Kodin Zgjedhor do të ishte hapi i parë për të dëshmuar vullnet për përmbushjen e kushteve për hapjen e negociatave. Çdo ditë që vonohet përfshirja e këtyre ndryshimeve për miratim në seancë plenare është një ditë e humbur në rrugëtimin e Shqipërisë në BE. Zbatimi sa më parë i ndryshimeve ligjore do të mundësonte jetësimin e garancive shtesë, përfshirë fillimin nga puna sa më parë të KQZ për zbatimin e identifikimit biometrik.

 Kryetari i Kuvendit të ushtrojë përgjegjësinë e tij për të mundësuar përfshirjen e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në seancën plenare të radhës. Në këtë mënyrë, 3 vite nga fillimi i punës për Reformën Zgjedhore dhe 1 muaj nga dakordësia e 5 Qershorit, Shqipëria ka shansin të tregojë se integrimi europian është vërtetë prioritet kombëtar dhe se institucionet janë të përkushtuara për të ushtruar përgjegjësitë e tyre, pa vonesa, në këtë proces jetik për të ardhmen europiane të Shqipërisë", shkruan Bardhi.

E menjëhershme ka qenë edhe përgjigja nga Partia Socialiste duke i kujtuar se Kuvendi ka rregulla. "Një Gazment apo Gazmir Bardhi që jepte urdhër që të futej në rend të ditës Kodi Zgjedhor. Drafti ndjek procedurën parlamentare dhe padyshim Kuvendi do ta shqyrtojë sipas të gjitha normave. PS-ja është serioze për respektimin e marrëveshjeve, për cështjet e vendosura por edhe ato të propozuara prej jush në kushtetutë që kanë të bëjnë me disa elementë të sistemit, edhe pse nuk ndryshon, është po ai, edhe pse e kemi thënë se për ne nuk ka asnjë problem".