Partia Demokratike tha sot se familja e Arben Kalemajt në Elbasan, që sipas saj, jeton vetëm me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj, është gjobitur me 10 mijë lekë dhe i është ndërprerë furnizimi me ujë, pasi Ujësjellës Kanalizime Elbasan ka konstatuar një ndërhyrje të paligjshme në rrjet.

Sipas zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli, vetë Kalemaj pretendon se as ai dhe as familjarët e tij nuk kanë ndërhyrë në rrjet, ndërsa thotë se më 4 korrik, pas një komunikimi me kryebashkiakun e Elbasanit, Gledian Llatja, një operator i dërguar nga bashkia ka rikthyer furnizimin me ujë në banesën e tij. PD i kërkon Shoqërisë Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan të verifikojë rrethanat e rastit dhe të anulojë gjobën. 

Deklarata e zëdhënëses së Antikorrupsionit në PD, Genta Vangjeli:

Arben Kalemaj, qytetari i sëmurë, që jeton vetëm me rreth 50 euro asistencë ekonomike në muaj, edhe njëherë tjetër u detyrua të vinte nga Elbasani për të denoncuar veprimet e shoqërisë rajonale të Ujësjellës Kanalizime Elbasan. Në datën 7 Korrik 2026 administratori Luan Tabaku ka nënshkruar njoftimin për vendosjen e gjobës në banesën e Kalemaj. Këtij njoftimi i bashkëlidhet edhe akti i konstatimit dhe fleta e gjobës që ngarkon abonentin të shlyejë detyrimin prej 10 mijë lekëve për shkak të ndërhyrjes në rrjet me tub fresibël. Moskryerja e pagesës sjell si pasojë ndërprerjen e furnizimit me ujë. Nga ana tjetër Kalemaj shpjegon se jo vetëm që ai dhe familjarët e tij nuk kanë ndërhyrë në rrjet por se ka qenë vetë kryetari i bashkisë Elbasan Gledian Llatja , i cili në datën 4 Korrik pasi ka komunikuar me Arbenin, i ka premtuar ta zgjidhë problemin e tij brenda po të njëjtës ditë, dhe ashtu ka ndodhur. Denoncuesi dëshmon se po në datën 4 Korrik Llatja ka dërguar një operator terreni i cili ka ndërhyrë duke lidhur ujin për të risjellë furnizimin në banesë. PD kërkon që Shoqëria Rajonale Ujësjellës Kanalizime Elbasan të verifikojë menjëherë rrethanat dhe të anulojë masën administrative. Ky është shteti i kalbur i Edi Ramës dhe e tillë është qeverisja socialiste. Asnjë familje nuk duhet të trajtohet në këtë mënyrë vetëm sepse është e varfër dhe nuk ka mundësi të mbrohet. Kjo është arsyeja pse ndryshimi nuk është më një zgjedhje politike, por një domosdoshmëri për rikthimin e shtetit në shërbim të qytetarëve"