TIRANE- Pas prezantimit të punës së Ministrisë së Shëndetësisë në 300 ditët e para të qeverisjes, ka reaguar edhe Partia Demokratike. Në një deklaratë për mediat, deputetja Albana Vokshi, e ka vlerësuar si të përkeqësuar situatën në sektorin e shëndetësisë në vend. deputetja Vokshi është ndalur edhe tek emërimet në mjekësi, duke u shprehur se “kalojnë në zarfe”.
 
“Shqiptarët përjetuan 300 ditë shëndetësi kaotike, të sponsorizuar nga mendjet e mbrapshta dhe interesat klienteliste rilindase. Sot nuk kemi ende shëndetësi falas, por kemi vetëm propagandë falas. Sot kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo drejtim, kemi shëndetësi të përkeqësuar në çdo shërbim. Biografia e ilaçeve caktohet nga ministri mbi bazë tarafesh dhe interesash.
 
Emërimet në mjekësi kalojnë në zarfe. Sot drejtorë spitalesh janë bërë mjekë të dënuar më parë për krime dhe për shpërdorim detyre.
 
Farmacitë e kushërinjve kanë mbirë kudo në dyert e spitaleve. Sot qytetarët e vendit paguajnë shumë më shumë dhe vuajnë akoma më shumë në dyert e spitaleve. Kjo pra është e vërteta e shëndetësisë së rilindur të Edi Ramës”, tha Vokshi.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)