TIRANË, 14 Shkurt/ATSH- I. Vata/-Partia Demokratike përsërit kërkesën drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth importimit të medikamenteve, një procedurë e modifikuar me urgjencë nga Ministri, i cili akuzohet edhe për favorizim të firmës së tij në "Tenderat për Shëndetin".
Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka dalë sot në një deklaratë për mediat, ku i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme për të hetuar rreth importimit të medikamenteve, duke bërë një hetim të gjithanshëm për të gjitha procedurat që ndiqen për regjistrimin dhe qarkullimin e barnave.
"Ministri i Shëndetësisë gënjen me shkrim dhe firmë, duke shpërndarë shkresat që sic duket i pergatit në bodrumet, ku mbajnë medikamentet e trafikuara dhe të importuara pa certefikatë sigurie dhe pa markën e kompanive prodhuese. Në komunikatë, Beqja thotë se "barnat që vendosen në treg, qoftë ato që janë të regjistruara, apo ato që ligji ia lejon ministrit t'i vendosë me leje të posacme importi në treg, kanë një origjine gjeografike të mirëpërcaktuar dhe përmbushin të njëjtat kërkesa që lidhen me importimin e tyre në Shqipëri, por gënjen", shprehet Vokshi. /a.ke/