TIRANE- Deputetët e Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri dorëzuan sot paradite në kryesinë e Kuvendit një rezolutë për zgjidhjen e çëshjes çame.  Rezoluta përbëhet nga 13 pika dhe në të kërkohet shfuqizimi i ligjit grek të luftës, rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.


Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi i bëri apel deputetëve të votojnë rezolutën e cila i referohet konventës europiane të drejtave të njeriut.

“Ky akti i joni është drejtësi evropiane sepse ne në rezolutën tonë i referohemi konventës europiane të drejtave të njeriut dhe të drejtën të kthehemi në trojet tona dhe nuk është rezolutë thjesht e PDIU por e dy parlamentarëve nga shqitparët e Çamërisë e cila i adresohet 140 deputetëve të bindur se parlamenti është përbërë nga deputetë patiriotë. Ne bosojmë se Parlamenti i sotëm nuk është i 2004 kur në mënyrë të turpshme deputetët braktisën sallën e Parlamentit dhe anëtarët e shoqërisë Çamëria u rrahën. Rezoluta i adresohet të gjithë deputetëve për mbështetje . Çështja çame Nuk duhet futur në raportet dhe axhendat politike, prandaj dhe nuk do i drejohemi partive por ndërgjegjes kombëtare dhe patriotizmit të 140 deputetëve. Qëndrimi jonë do varet nga sjellja e tyre individuale ndaj rezolutës së Çamërisë”- tha Idrizi për gazetarët para kryesisë së Kuvendit.

Sipas kësaj rezolute Ministria e Punëve të Jashtme ngarkohet të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata. Gjithashtu ngarkohet Ministria e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

Po kështu nëpërmjet kësaj resolute rezervohet e drejta që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.

Ndërkohë që dje Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU), Klubi i Patriotëve të Rinj dhe shoqata “Çamëria” protestuan para ambasadës greke në Tiranë, në kuadër të 9 dhjetorit. Me pankarta në duar ku shkruhej "Duam pronat tona" ata kanë kërkuar zgjidhjen e çështjes çame. Ndërsa një ditë më parë 8 dhjetor, ministria e Jashtme greke deklaroi se çështja came nuk ekziston.


REZOLUTA E PDIU-së
MBI ZGJIDHJEN E ÇESHTJES ÇAME


Kuvendi i Republikës së Shqipërisë,

I orientuar përherë nga qëllimet e larta të ruajtjes së paqes, stabilitetit dhe sigurisë në rajon;
Duke vlerësuar marrëdhëniet miqësore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë;
Duke mbështetur dhe inkurajuar rritjen e bashkëpunimit në të gjitha fushat midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë si dy vende fqinje dhe aleate në strukturat euroatlantike;
Duke shprehur mirënjohjen për luftën e përbashkët antifashiste të popullit shqiptar dhe popullit grek, e në veçanti të shqiptarëve çamë, themelues dhe të inkuadruar në Ushtrinë Çlirimtare Greke (ELAS) dhe në Ushtrinë Antifashiste Nacional Çlirimtare (UANÇ)
Nisur nga fakti se populli shqiptar, dhe asnjë shtet sovran shqiptar nuk e ka sulmuar popullin dhe shtetin grek gjatë Luftës së Dytë Botërore;
I bindur se edhe Populli Grek, Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Greqisë vlerësojnë lart marrdhëniet e mira ekzistuese midis dy vendeve tona, dhe nevojën për përmirësim të pandërprerë të tyre,që nënkuptondhe zgjidhjen përfundimtare të çështjeve të mbetura pezull nga e kaluara e afërt;
I bindur se me vullnet të mirë të të dy palëve, ekzistojnëhapësirat e mundshme të negocimit dhe mund të gjenden instrumentat e nevojshëm për konsolidimin e mirëkuptimit nëpërmjet drejtësisë në zgjidhjen eçështjes çame, në interes thelbësor të të dy vendeve e popujve tanë;
Në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë;
Duke marrë parasysh qëllimet dhe parimet e larta të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, të parimit të mosndëshkueshmërisë kolektive, si dhe të akteve ndërkombëtare më të rëndësishme në lidhje me to;
Duke marrë në konsideratë Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut, në veçanti neneve 1.2.6, 9, 13, dhe 15; Rezolutën 4780 të Asamblesë së Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara mbi « “Spastrimin etnik” dhe urrejtjen raciale »; Nenin 1 të Protokollit shtesë nr. 1 të Konventës Evropiane për Liritë dhe të drejtat e njeriut ;

Mbështetur në ligjin 7839, të datës 30.06.1994, “Për shpalljen e datës 27 qershor në kalendarin kombëtar si dita përkujtimore e genocidit të shovinistëve grekë ndaj shqiptarëve të Çamërisë”, shpallur me dekretin e Presidentit nr.885, datë 12.7.1994.
Nën frymën e Traktatit të Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës Greke (këtu e më poshtë Traktati i Miqësisë);

Duke vlerësuar sefryma e nenit 15 dhe gjithë teksti i Traktatit të Miqësisë, midis dy vendeve, fryma e akteve ndërkombëtare të lartcituara, imponojnë heqjen e pengesavepër restaurimin e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Greqisë nëpërmjet një kuadri ligjor adeguat për gjithë komunitetin e cënuar dhe jo nëpërmjet rrugëveindividuale gjyqësore,

1. Njeh, mbështet, dhe angazhohet për nevojën e restaurimit të të gjithë të drejtave të shqiptarëve çamë, dikur nënshtetas grekë, në përputhje me rrethanat e reja, sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi genocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to si dhe frymën e Traktatit të miqësisë midis dy vendeve.

2. Kërkon rivendosjen e të drejtave themelore të shtetasve shqiptarë, ish shtetas grekë, që përfshin rikthimin e pronave, njohjen e të drejtës së riatdhesimit, njohjen e të drejtës së rimarrjes së shtetësisë, dhe të të drejtave të tjera të pakicave kombëtare.

3. Kërkon shfuqizimin shprehimisht të Ligjit grek të Luftës nr. 2636 dhe 2637/1940i shpallur me dekret mbretëror në vitin 1940 akoma në fuqi, në veçanti pjesën e ligjit që mban sekuestron konservative të pasurive shqiptare,

4. Kërkon shtrirjen e efekteve të ligjit grek 1540/1985 “për rregullimin e refugjatëve”, tek të gjithë shtetasit grekë të larguar si pasojë e konfliktit civil, pa diskriminim kombësinë e tyre, ligj që bie në kundërshtim me shumë akte ndërkombëtare, për mosdiskrimimin mbi bazë kombësie, race, feje, etj;

5. Kërkon nga qeveria e Republikës së Shqipërisë, që së bashku me Qeverinë e Republikës së Greqisë, të riaktivizojë Komisionet e Posaçme Dypalëshe, të sanksionuara në Traktatin e Miqësisë, të shqyrtojnë çështjen, të njohin përmasat e saj, të përpunojnë zgjidhjet e duhura në këtë drejtim;

6. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve, të padëbuar nga trojet e tyre amtare dhe të kërkojë njohjen e statusit të minoritetit etnik për ata;

7. Kërkon ngritjen në Paramithi dhe Filat, të dy lapidarëve, që do të përkujtojnëgratë, pleqtë, e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve kryera nga njësitë paramilitare greke.

8. Kërkon mundësinë e ngritjes apo përkujdesjes për varrezat e çamëve, ish qytetarëve grekë, të vrarë gjatë genocidit grek;

9. Ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës që të pasqyrojë, në mënyrë të përshtatshme dhe në proporcionalitet, historinë e kësaj pjese të popullsisë shqiptare në tekstet shkollore;

10. Ngarkon Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe sporteve që, në kuadër të marrëveshjeve dypalëshe me ministrinë homologe të Republikës së Greqisë, të promovojë vlerat kulturore të tyre dhe objektet kulturore që gjenden jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë si dhe Ministrisë së Arsimit dhe të shkencës t’i kërkojë Ministrisë homologetë nxisë heqjen në tekstet greke të referimeve fyese dhe diskriminuese ndaj popullsisë çame;

11. Ngarkon Qeverinë shqiptare, që në përputhje me këtë Rezolutë, t’i shprehë palës greke në kontaktet diplomatike qëndrimin e Republikës së Shqipërisë në lidhje me këtë problem;

12. Ngarkon Ministrinë e Punëve të Jashtme që këtë Rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe parlamenteve të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, dhe institucioneve ndërkombëtare ku Shqipëria është anëtare.

13. I rezervon vetes të drejtën që në rast reagimi refuzues të palës greke, për ta konsideruar problemin në dritën e akteve ndërkombëtare mbi diskriminimin, lëvizjen e lirë, të drejtat themelore të njeriut në përgjithësi, ta paraqisëçështjen në instancat ndërkombëtare adeguate.