TIRANË - PDIU ka përshëndetur vendimin e qeverisë Rama që ka propozuar Leonard Demin si ambasador në NATO. Me anë të një njoftimi, PDIU ka bërë të ditur se, si parti parlamentare, që përfaqëson interesin kombëtar, në veçanti mbron zgjidhjen e çështjes çame, ky vendim është shumë i qëlluar për disa arsye.

“Leonard Demi, bir i komunitetit tonë, i një familjeje nga më të shquarat e këtij komuniteti, është një veprimtar politik që me ndershmëri i ka shërbyer vazhdimisht shtetit dhe vetëm shtetit”, thuhet në deklaratën e PDIU.

Në deklaratën e PDIU thuhet se, “pavarësisht militimit të tij brenda PD-së, ai ka ditur gjithmonë në momentet më të veçanta të tregojë integritet dhe të mbrojë interesin kombëtar, interesat e NATO-s, dhe të partnerëve tanë, interesa që janë në themel të Aleancës sonë me perëndimin. Ne jemi shumë të lumtur që një qeverisje e qendrës së majtë, propozon për ambasador pikërisht një figurë si ajo e Leonard Demit që zotëron këto cilësi”.

“Ne jemi të bindur se ai do ta kryejë detyrën me nder dhe përkushtim si bartës i vlerave më të mira të familjes dhe komunitetit ku ai bën pjesë, komunitetit çam”, përfundon deklarata e PDIU.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)