TIRANE- Kundër shkatërrimit në Shqipëri të armëve kimike të Sirisë, ka reaguar edhe partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet.

Në një deklaratë për mediat, PDIU ka kërkuar nga Presidenti i Republikës Bujar Nishani, që të mos qëndrojë në pritje të raportimeve dhe informimit nga qeveria shqiptare, por të marë në dorë situatën dhe të kontaktojë drejtpërdrejt Aleatët e NATO-s dhe sidomos Departamentin Amerikan të Shtetit, për të kërkuar transparencë dhe të vërtetën që qëndron pas gjithë kësaj çështjeje të armëve kimike të Sirisë.

Sipas partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet duhet transparencë dhe vërtetësi.

DEKLARATA E PDIU
Në këto momente kaq kritike që po përjeton Shqipëria jonë, ndërsa zëri qytetar po buçet nëpër sheshe, politika do të bëjë mirë që të dëgjojë. Ne si PDIU deklarojmë se pushteti i zërit të qytetarëve është i vetmi pushtet që duhet të ushtrohet në vendin tonë. Asnjë pushtet politik e asnjë parti politike apo edhe asnjë lider politik nuk vlen aq sa vlen zëri i një qytetari që sot po brohoret në sheshet e Shqipërise. Politika dhe institucionet e Shtetit Shqiptar, ose duhet të flasin me zërin e qytetarëve, ose bëjnë mirë të mos flasin fare.

PDIU zgjedh heshtjen politike për të lënë të dëgjohet zëri i qytetarëve. PDIU sot është bartëse, dëgjuese, mbështetëse dhe e rreshtuar në krahun dhe mes qytetarëve. Ftojmë edhe të gjithë liderët politikë, partitë politike dhe institucionet shqiptare që të njëhsohen me zërin e qytetarëve shqiptar. Agora që po lindet dhe rilindet nga qytetarët tanë në sheshet tona, është ushtrimi më i mirë dhe më i shëndetshëm, për një Shqipëri më demokratike, më të drejtë, më të lirë, më perëndimore, më euroatlantike, më të denjë.

Përshëndesim Presidentin e Republikës, Z. Bujar Nishani, që priti një përfaqësi nga qytetarët protestues, por njëkohësisht e inkurajojmë dhe i kërkojmë Presidentit Nishani, që të mos qëndrojë në pritje të raportimeve dhe informimit nga Qeveria Shqiptare, por të marë në dorë situatën dhe të kontaktojë drejtpërdrejt Aleatët e NATO-s dhe sidomos Departamentin e Shtetit Amerikan, për të kërkuar transparencë dhe të vërtetën që qëndron pas gjithë kësaj çështjeje të Armëve Kimike Siriane.

Presidenti Nishani është Qytetari i Parë Shqiptar, Simboli i Unitetit Kombëtar dhe Presidenti i një vendi anëtar të NATO-s dhe i ka të gjitha të drejtat dhe detyrimet për të kërkuar informacion dhe transparencë të plotë nga qeveria dhe aleatët euroatlantike. Duam transparencë dhe të vërtetën. Duam të jemi të njëzëshëm dhe të njëhapshëm me qytetarët tanë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)