TIRANË - "PDIU del para publikut këtë mbrëmje me të gjithë përgjegjshmërinë dhe detyrimin për të njoftuar se Shqipëria sot votoi e lirë", u shpreh kreu i PDIU-së, Shpëtim Idrizi, i sapokthyer nga një vizitë disaorëshe në 5 qarqet kryesore të PDIU: Tiranë, Elbasan, Durrës, Fier dhe Vlorë.

"Dua të shpreh mirënjohjen time për të gjithë votuesit, vëzhguesit dhe komisionerët e PDIU që kanë dhënë një kontribut të çmuar në një proces votimi korrekt dhe paqësor. Me një manifestim dukshëm të dëshirës e shpresës së çdo qytetari shqiptar për të qenë aktor, faktor dhe autor për një të ardhme më të mirë, për një të ardhme evropiane', theksoi deklarata e Idrizit.

Ai shtoi se PDIU e priti këtë ditë në paqe e me mirësinë e festivitetin e nevojshëm dhe të domosdoshëm, pasi për ne, kjo ditë ishte, është e duhet të mbetet dita e qytetarëve dhe vetëm e qytetarëve shqiptarë.

Më tej, ka shprehur keqardhjen për incidentin e rëndë të Laçit, ku një qytetar humbi jetën e të tjerë u plagosën, e njëkohësisht i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së Gjon Gjonit. "Por përtej këtij rasti fatkeq, e përtej disa incidenteve të tjera të cilat në thelb kanë qenë jo domethënëse për mbarëvajtjen e procesit, ne si PDIU shprehim mirënjohjen për qytetarët shqiptarë që janë treguar demokraci-dashës, paqedashës dhe europianë të vërtetë me këtë festivitet, që kanë dëshmuar në këtë ditë zgjedhjesh".

PDIU bën thirrje që askush, asnjë politikan, e asnjë parti politike të mos e cënojë e as të tjetërsojë këtë ditë dhe këtë atmosferë, të ndërtuar e të zotëruar, me meritë nga qytetarët shqiptarë. "Qytetarët shqiptarë i takuan sot standardet evropiane, ndaj dhe kanë dëshmuar se e meritojnë plotësisht statusin e vendit kandidat në BE. Tashmë na takon neve, politikanëve dhe partive politike, që të ngrihemi në lartësinë e qytetarëve shqiptarë, e ta administrojmë procesin zgjedhor me përgjegjshmëri të lartë ligjore, qytetare, kombëtare dhe evropiane".

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)