TIRANË- Nga ulja e gjobës, heqjes së patrullave të policisë dhe rritjes së shpejtësisë maksimale, janë këto disa nga propozimet për ndryshim të Kodit Rrugor nga Partia Demokratike. I ftuar në emisionin “Sot Live në Shqipëri” me gazetarët Migena Sotiri dhe Nertil Agalliu, deputeti i PD-së Lefter Gështenja thotë se këto ndryshme janë të rëndësishme pasi përafrohen me standardet evropiane.

Kodi Rrugor kërkon ndryshime thelbësore. Një ndër propozimet është ulja e gjobës në 50% të vlerës. Tjetër është rritja e shpejtësisë, që të jetë me përputhjen e standardeve evropiane, të gjitha rrugët që përmbushin standardet e autostradës, shpejtësia të jetë 130 km/h. Sot limit është 110 km/h, ne kërkojmë 130 km/h, siç e kanë standardet evropiane.

Të gjithë si përdorues mjetesh kemi konstatuar postblloqe, t’i kemi siç bëhet në të gjithë botën, jo të del policia e vendos gjoba pa arsye.”, u shpreh Gështenja.

Por, për ekspertin rrugor Fatmir Hasho rritja e shpejtësisë është e pa pranueshme duke qenë se të dhënat tregojnë se një pjesë e madhe e aksidenteve kanë ndodhur për shkak të shpejtësisë.

“Ne po mundohemi t’i edukojmë drejtuesit ti heqin këmbët nga gazi. Shpejtësi është shkak për aksidentet me  aksidentet të rënda, pika e tjera do t’ i mbështesë, postblloqet janë katastrofë!”, u shpreh eksperti.

Deputeti Gështenja po ashtu kërkon dhe shtyrjen e afatit për pagimin e gjobave. Propozohet që qytetarëve t’u ofrohet një afat 10 ditor, ndryshe nga 5 sa është aktualisht, në mënyrë që drejtuesve t’i jepet më shumë kohë.

 “Kam kërkuar që në Komisionin e Veprimtarisë Prodhues, që të ftohen ekspertë, specialistë. Propozimi tjetër është shtyrja e kamatëvonesave të gjobave, nëse fillon pas 5 ditëve, të jetë pas 10 ditësh, që të kenë kohë t’i paguajnë. Kemi propozuar unifikimin.  Nuk duhet të bëjmë arnime sa herë është e nevojshëm, duhet të ulemi në tryezë dhe të flasim me ekspertët.”, u shpreh Gështenja.

Partia Demokratike propozon po ashtu uljen e kufirit maksimal të gjobave nga dyqind mijë lekë në njëqind mijë lekë.