PRISHTINË - Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur sot, vlerëson se vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës ka sqaruar në aspektin kushtetues të drejtën e saj si fituese e zgjedhjeve parlamentare që të formojë Qeverinë e Kosovës.

Në një deklaratë të publikuar më tej thuhet se, gjithashtu, nisur nga Kushtetuta e Kosovës, Rregullorja e Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës si dhe praktikat e deri tanishme, Partisë Demokratike të Kosovës i takon e drejta e pakontestueshme për të caktuar kandidatin/kandidaten për Kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe të një Nënkryetari të Kuvendit të Kosovës.

Duke marrë parasysh faktin që zgjedhjet e mbajtura ishin një sukses i qytetarëve dhe popullit të Kosovës, PDK fton të gjitha partitë politike për konstruktivitet, bashkëpunim dhe unitet në ndërtimin e të gjitha institucioneve shtetërore të përcaktuara me Kushtetutë.

Partia Demokratike e Kosovës, rikonfirmon qëndrimin e saj, se nuk do të bëjë kompromis me asnjë forcë politike me verdiktin e popullit të shprehur në Zgjedhjet e 8 Qershorit që si parti fituese me mandatarin Hashim Thaçi të udhëheq Qeverinë e Republikës së Kosovës në mandatin e ardhshëm, në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
PDK, pret me padurim përmbylljen e procesit të ndërtimit të institucioneve të reja, fillimin e jetësimit të Misionit të Ri: zhvillimin ekonomik, krijimin e Fondit të Punësimit, krijimin e 200.000 vendeve të reja të punës dhe vazhdimin e rritjes së mirëqenies për qytetarët e vendit./ATSH/

Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)