Njëkohësisht, Partia Demokratike e Kosovës shprehet kundër vazhdimit të qasjes bllokuese të procesit të themelimit të institucioneve shtetërore nga ana e bllokut opozitar.
"Partia Demokratike e Kosovës rikujton se duke u bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KO 119/14, si dhe në Rregulloren e Punës së Kuvendit, e drejta për të nominuar kandidatin për Kryetar të Kuvendit paraqet një të drejtë të patjetërsueshme dhe të patransferueshme të Grupit Parlamentar të PDK-së, si grupi më i madh parlamentar në Kuvend", thekson deklarata.
Partia Demokratike e Kosovës shpreh besimin se vazhdimi i seancës konstituive do të ndodhë shpejtë dhe se deputetët do të reflektojnë drejtë për përgjegjësinë që kanë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, në pajtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe dokumentet tjera relevante, të cilat i garantojnë ekskluzivisht Grupit Parlamentar të PDK-së, nominimin e kandidatit për Kryetar të Kuvendit.
"Partia Demokratike e Kosovës, si partia më e madhe në vend dhe me besimin më të madh qytetar, do të vazhdojë të luaj rol konstruktiv dhe proaktiv në procesin e themelimit të institucioneve shtetërore dhe fton edhe partitë tjera parlamentare që të heqin dorë nga bllokada institucionale dhe t'i hapin rrugë bashkëpunimit për daljen nga ngërçi politik", thuhet më tej në deklaratë.
Partia Demokratike e Kosovës konsideron se konstituimi sa më i shpejtë i Kuvendit, si institucioni më i lartë shtetëror, është në interesin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, si dhe është hap i domosdoshëm për të mundësuar krijimin e Qeverisë së ardhshme, në pajtim me vullnetin e qytetarëve tanë.
Partia Demokratike e Kosovës mbajti sot pas mesditës konferencë për medie, në selinë qendrore të saj, në Prishtinë.
Në vazhdimin e sotëm të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, kandidati i PDK-së për kryeparlamentar, Arsim Bajrami, mori 44 vota të parlamentit 120 anëtarësh, të pamjaftueshme për t'u zgjedhur.
Në seancë, përfaqësuesi e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajredin Kuçi, propozoi kandidatin për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me këtë rast, Kuçi theksoi se ndjehet i nderuar që në emër të PDK-së, të propozojë një kandidat për kryetar të Kuvendit, i cili për herë të pestë është deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
"Kandidati i propozuar është i shquar si personalitet që ka kontribuar në shtetndërtimin e Republikës së Kosovës edhe në kuptimin profesional në ndërtimin e gjeneratave të tëra në drejtësi dhe fusha të tjera të vendit tonë, është koleg i shquar me punën politike të vendit tonë, andaj kërkoj nga deputetët që ta votojnë", tha Kuçi.
Të pranishëm në sallë ishin 116 deputetë, ndërsa procesi i votimit ishte i hapur. Kandidati i propozuar nga PDK-ja nuk mori vota të mjaftueshme për t'u zgjedhur kryetar i Kuvendit. Për votuan 44 deputetë, 61 kundër, ndërkaq abstenuan 11 deputetë. /ATSH/