Kryetari i PDS Paskal Milo ka zbuluar disa detaje të marrëveshjes parazgjedhore me PS të firmosur mbrëmë prej tij. Për median ai pranon se Rama i ka ofruar atij post ministror, nëse Aleanca “Për Shqipërinë Europiane” do të fitojë zgjedhjet. “Kemi arritur edhe një marrëveshje tjetër për të qeverisur së bashku në nivele që do të varen nga rezultati në zgjedhje.

Pra jemi të bindur që në qeverisje do mund të mbajmë poste ministrore”, tha Milo. Ai tha se PSD, i ka propozuar PS 3 kushte për koalicionin. Ai shtoi se nuk do të garojë në listat e PS, por se do të kryesojë listën e PDS në Qarkun e Tiranës. "Propozimet tona i kishim parashtruar që në muajin janar për marrëveshjen para dhe paszgjedhore.

Kishim 3 propozime kryesore. E para që të gjendej një formulë bashkëpunimi jo e thënë drejtpërsëdrejti. E dyta, të kishte një bashkëpunim në çështjen e mbrojtjes së votës. E treta të mos kishte frymë negativiste gjatë zhvillimit të fushatës.

Pra të mos ketë një frymë të tillë që të luftojmë njëri-tjetrin, siç u bë në vitin 2009. Milo sqaroi se nuk ka pranuar kushtin e pjesëmarrjes në lista, pasi Rama kërkonte si kusht atë të shkrirjes së PDS me PS, gjë që sipas tij, çoi në vonesën e firmosjes së marrëveshjes.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 25.04.2013

Redaksia Online
(b.m/shqiptarja.com)