Raporti i Përvitshëm mbi perspektivën e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian është miratuar ditën e sotme nga Parlamenti Europian. Eurodeputetët kanë miratuar edhe rezolutën e prioriteteve të samitit të ardhshëm të liderëve të BE-së.
 
Pas miratimit të këtij raporti nga eurodeputetët, hapi i fundit për marrjen e statusit kandidat nga Shqipëria mbetet vendimi i Këshillit të BE-së që pritet të merret me 17 dhjetor.
 
Rezoluta e Parlamentit Europian vlerëson se, partitë politike dhe shoqëria shqiptare duhet të përmirësojnë frymën e dialogut dhe kompromisit. Gjithashtu theksohet se, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria mbizotërojnë në Shqipëri dhe nënvizohet nevoja për refomat e sundimit të ligjit, luftës ndaj krimit të organizuar, korrupsionit të të gjitha niveleve, trafikut të drogës, armëve dhe qenieve njerëzore.
 
"Po dërgojmë një mesazh unanim ndaj Këshillit: Shqipëria meriton t'i jepet statusi kandidat. Avancoi axhendën e reformave dhe ka arritur një nivel të ri të pjekurisë politike përmes kalimit të duhur të pushtetit në paqe pas zgjedhjeve të qershorit", u shpreh pas votimit, Nikola Vuljaniç.
 
Ministrat e Jashtëm të BE-së pritet të vendosin më 17 dhjetor për kandidaturën e Shqipërisë dhe ky qëndrim pritet të konfirmohet dy ditë më pas, edhe nga Këshilli i krerëve të shteteve dhe qeverive të Unionit.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)