PE thirrje Kosovës dhe Serbisë të ulin tensionet! Metsola: Nuk mund të shohim më shumë dhunë

Parlamenti Evropian u ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të ulin tensionet në kohën kur i gjithë kontinenti evropian po kalon nëpër një situatë të ndjeshme.

Këto thirrje u bën nga presidentja e PE-së, Roberta Metsola, gjatë vizitës në Kroaci për shënimin e 10-vjetorit të anëtarësimit të Zagrebit në Bashkimin Evropian.

Metsola tha se agresioni i Rusisë kundër Ukrainës është një dëshmi se sa kanë ndryshuar rrethanat sot në Evropë dhe me çfarë sfidash po përballet kontinenti.

“Ne si Parlament Evropian u kemi bërë thirrje Serbisë dhe Kosovës të shtensionojnë situatën. Shtensionimi është fjala kyçe këtu. Nuk mund të shohim më shumë dhunë në kohën kur kontinenti ynë është aq i ndjeshëm”, tha Metsola.

Udhëheqësja e PE-së, duke iu referuar rolit të Kroacisë në rajon, tha se ky shtet mund të ndihmojë duke luajtur një rol aktiv, por edhe duke shërbyer si shembull se si zgjerimi i BE-së është një tregim suksesi.

“Transformimi i Kroacisë është shembull që duhet të ndiqet nga të tjerët. Kroacia mund të luajë rol udhëheqës për t’i ndihmuar vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor, jo vetëm me mbështetje politike, por edhe me përvojën që ka gjatë procesit, përmes së cilit u bë anëtare”, tha Metsola.

“Partnerët tanë nga Ballkani Perëndimor janë tepër gjatë në ‘dhomën e pritjes’ dhe kjo duhet të ndryshojë. Të dyja palët duhet të bëhen serioze dhe ky proces të lëvizë”, shtoi ajo.

Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, tha se shteti i tij është i gatshëm të mbështesë vendet e rajonit në rrugëtimin e tyre drejt BE-së dhe të ndajë me ta përvojën e Zagrebit në këtë proces.

Ndryshe, që nga fundi i majit, tensionet në veriun e Kosovës – të banuar me shumicë serbe – janë rritur, pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave, hynë në ndërtesat komunale me asistimin e Policisë së Kosovës.

Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po mbajnë protesta të vazhdueshme në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok. Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në përleshje midis serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Tensionet u rritën edhe më shumë më 14 qershor, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga forcat serbe. Kosova thotë se policët u rrëmbyen brenda territorit të saj, por Serbia thotë se ata u arrestuan në “thellë” në territorin serb.

Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë thirrje Serbisë që të lirojë pa kushte policët. Ndërkaq, BE-ja dhe SHBA-ja i kanë paraqitur tri kërkesa autoriteteve në Kosovë për shtensionimin e situatës. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përgjigjur duke paraqitur një plan të tij pesëpikësh./REL

M.T/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?

Kreshnik Spahiu: Pse Strasburgu po e zhgënjen shumë keq Partinë Demokratike?