Peçi: Zhillime të pa dëshiruara e të dëmshme për kombin

Peçi: Zhillime të pa dëshiruara e të dëmshme për kombin

Samiti i Shengenit Ballkanik në Tiranë

Ka një kundërshti themelore mes ftesës së Edi Ramës mbi pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin rajonal për mini Shengenin ballkanik dhe dashamirësisë për ta patur në krah të vetes e Vuçiç-it. Tryeza, ku Kosova mungoi, na thuhet se synon të heqë kufij mes fqinjëve, të nxisi tregtinë e bashkëpunimin dhe të lehtësojë kalimin e mallrave e qytetarëve. Gjë e mirë kjo, parë sipërfaqësisht, ku Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria, në njohje, lidhje dipllomatike dhe traktate miqësie të qendrueshme, plotësojnë e përmirësojnë detyrat mes vedi. Që Shqipëria, përmes kryeministrit të saj, bëhet pjesë e një organizimi të cilin e sheh si mundësi potenciale për të ndikuar edhe në shuarjen e armiqësive mes popujve serb e shqiptar, është shumë e dobishme, por.... Këtu vetiu vjen një “por”, që kjo ftesë me gjasa duhet të ndodhë përpos se kur këtë e ka diskutuar e konsultuar paraprakisht me vëllezërit e Kosovës tonë. Nuk e mendoj ndryshe dhe ska se si!?

Kjo nismë (me bekimin e Europës-thotë Rama, dhe pa pëlqimin e Europës-thotë Vuçiç) ndodh në kohëra kur Serbia, jo vetëm nuk e njeh Kosovën, por dhe deklaron në Beograd e Tiranë se kurrë nuk do ta njohi; kur ka rritur ndjeshëm sulmet e saj kundër Kosovës, duke u kërkuar shteteve njohëse të tërheqin aktin dipllomatik si dhe të pengojë pranimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Ndërmarrja e një fushate nga Serbia për mos pranimin e Kosovës në Interpol, kuptohet si shkak, (se kriminelëve serbë që kryen krime ndaj popullsisë së pambrojtur në Kosovë, u rrezikohet lëvizja) por që nuk lejon pranimin e saj në UNESCO dhe bën fushatë, flet qartë për synimin e saj në izolimin ndërkombëtar të Kosovës. Atëhere, ç’kuptim ka dhe merr samiti rajonal për lëvizjen e lirë të njerëzve e mallrave, ndërsa ofensiva e dipllomacisë serbe për ç’njohjen ka marrë tiparet e një agresiviteti luftënxitës dhe duket açik se nga kjo i fituari është përpos se Serbia? Në këto rrethana, edhe nëse Edi Rama mbase ka porosi nga Merkel, a nuk duket naiv kur e fton Kosovën si periferi rajonale? A nuk duket cinik kur thotë se Haradinaj është një gënjeshtar? A nuk duket i pa mend kur thotë se kryeministri në ikje i Kosovës është budalla?

Shekulli XXI për botën shihet të shënohet kryesisht si luftë për burimet e energjisë, për ujërat dhe burimet e tjera ekologjike. Një nga zonat ku dalin dukshëm në sipërfaqe këto interesa superfuqish është edhe gadishulli ynë. Kosova dhe ne Shqipëria kemi qenë të qetë se tranzicioni gjeopolitik i Ballkanit ka qenë nën vëmendjen e SHBA-ve, i është nënshtruar dhe i ka shërbyer qëllimit të çlirimit të këtij rajoni nga ndikimi dhe dominimi rus. Shpërbërja e Jugosllavisë dhe luftërat në këtë rajon, bënë të detyrueshme ndërhyrjen e NATO-s në 1999, që u shoqërua më pas me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Mosnjohja e Kosovës proamerikane, bën që në Ballkan të jenë të 

pranishme si konfliktet verbale ashtu dhe armët. Askush nuk e di nëse këta do jenë apo nuk do të jenë në gjendje ta bëjnë këtë.

Ndikimi politik tashmë e ka sjellë Ballkanin në forma të reja paqëndrueshmërie. Serbia ja bën të mundur të rrijë haptas në dy karrige, por shpirti i fle në Rusi. Shqipëria dhe Kosova, pa miq kaq të mëdhenj, por gjithsesi jo pa mbrojtës, veç e veç në fushën e lëvizjeve të mëdha janë lojtarë të pa përfillshëm, nuk përbëjnë faktor. Ama, të qenit së bashku, u japin tjetër peshë, ndaj dhe ata që s’na duan bëjnë të pamundurën për të na parë të ndarë. Sajojnë gjithçka për këtë e përdorin çdo mjet: se gjuhën shqipe, me dialektet e saj Toskë e Gegë, e kanë kufi ndarje; se të jetuarit gjatë në bashkësi të ndryshme i ka larguar; se dikush është aq e kaq më i kulturuar dhe mes tyre ka dallime; se besimi fetar është kështu e ashtu; se janë dy kombe, ai shqiptar dhe kombi Kosovar, etj. Në ndihmë të mbështetjes së këtyre “argumenteve” serbët thërrasin Akademinë e tyre të Shkencave dhe gjithë buzhalët, që toka pjellore e Kosovës i ka pjell kohë pas kohe dhe që kurrë si kanë munguar. Mjetet e propagandës, mediat e portale sociale, gjithçka e fryjnë, vihen e hidhen në veprim për nxitjen e mërive, pakënaqësive, mllefeve.

Viktima të tyre nuk vonojnë të shfaqen. Ja ku ngrenë krye dy kryeministra e disa kryetarë partish në të dy anët! Nxitimi i kryeministrit Edi Rama për t'i thënë kryeministrit në Kosovë, Ramush Haradinaj, se është gënjeshtar e budalla është një budallallëk më vete, që tregon se dikë e kanë lënë nervat për momentin. Përkeqësimit të marrëdhenieve i ndihmon shumë edhe mediat, të cilët nuk lënë rast pa helmuar atmosferën mes dy pjesëve të kombit. Besa, nuk arrin kërkush të kuptojë pse ftohen disa monstra natë për natë nëpër studio?

Brenda tre javësh shpërthyen dy zemërime, ajo e mohimit nga Vuçiç e Rusia e masakrës së Reçakut dhe në Tiranë për mini shengenin, ku Vuçiç deklaron se Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën. Zemërimi, ky këshilltar i keq, u dha udhë kështu mllefve dhe askush nuk po e kontrollon veten. Ky mllef po bën dëm më shumë sesa vetë shkaku që i zemëroi palët.

Kriza aktuale mes Serbisë dhe Kosovës, pavarësisht orvatjeve amerikano-europiane për zgjidhje, sa kohë Serbia nuk e njeh Kosovën si shtet fqinj, ka potencialin të prodhojë konflikte. Pasojat e saj do të shkaktojnë kontradikta te reja, siç po ndodh, dhe konflikte të reja të pa parashikuara. Europa i druhet përfshirjes në luftëra të reja rajonale dhe madje një konflikti më të gjerë, sidomos kur sheh se mes partnerit të madh dhe të tjerëve aleatë ndjehen lëkundje në parimet bazë. Ky është shkaku që Gjermania i ka thënë prerë serbisë se nuk ka pranim në BE pa njohje të Kosovës. Sa do shërbente samiti në fashitjen e këtyre çështjeve të mëdha, është e dyshimtë. Ajo që dihet deri tani është shërbesa e madhe që ju bë Serbisë, ëndrrës së saj për të mos i parë së bashku shqiptarët e Shqipërisë me shqiptarët e Kosovës.

Ndërkohë, mes nesh vazhdojmë polemikat dhe ska njeri t’ua fusi në ujë të ftohtë kokat e nxehta, gjuhën pa kontroll e mëndjen e pamatur.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë

Itali/ Shpërndanin kokainë me makinë dhe tentuan arratinë, arrestohet 24-vjeçari shqiptar, nën hetim shoku! Të dy me disa precedentë penalë