TIRANE- Problemet në sistemin tonë arsimor nuk kanë të sosur. Këtë herë të rinjtë pretendojnë se pedagogët e kanë kthyer në biznes të pastër shitjen e librave të tyre. Të rinjtë ankohen se këtë luks nuk e kanë të gjithë, pra për t'i blerë të gjitha librat, pasi ka botime që shkojnë deri në 7 mijë lekë të reja. Ndërkohë që kësaj metode të re nuk i kanë shpëtuar as studentët e ditës dhe as ata part-time. Dhe kjo vlen thuajse në të gjitha fakultetet e UT-së. Por jo vetëm të tij. Duket se e njëjta situatë është edhe në institucionet e tjera të arsimit të lartë.
PROBLEMI
Shitja e librave nga pedagogët është një fenomen që haset pothuajse në të gjitha fakultetet. Jo se këtë praktikë e ndjekin të gjithë profesorët, por studentët na shpjegojnë se një pjesë e mirë e tyre e aplikojnë si mënyrë për të shitur librat që kanë bërë vetë. "Pedagogu ynë ka një listë me të gjithë emrat e studentëve të kursit dhe i shënon me plus të gjithë ata që blejnë librin që na rekomandon ai, që është botim i vitit 2010. Dhe këtë gjë ai e bën gjatë orës së leksionit, - tregon një student i Universitetit të Tiranës, i cili nuk dëshiron të publikojë degën ku po ndjek studimet pasi ka frikë nga ndëshkimi i profesorit. - Ndërkohë që na ka njoftuar se nuk do të pranojë botimin e vjetër, që në fakt është i vitit 2009-ë dhe me autor po këtë pedagog, pasi sipas tij teksti ka pësuar ndryshime. Gjithashtu nuk na pranon as fotokopjet me pretendimin se një metodë e tillë është shkelje e të drejtës së autorit", - ka sqaruar studenti, i cili thotë se jo të gjithë kanë mundësi t'i blejnë librat, pasi ata janë shumë të shtrenjtë. "Ka libra që kushtojnë deri në 7 mijë lekë dhe ne zgjedhim t'i fotokopjojmë, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për një libër, por kemi shumë lëndë. Tani kemi rënë në hall se profesorët na kërkojnë librat", - ka pohuar ai duke shtuar se një situatë e tillë nuk është vetëm në degën që ai studion, por edhe në mjaft degë të tjera të UT-së. "Unë kam shokët e mi që janë në degë të tjera dhe kanë po të njëjtin problem", - shprehet ai. Të rinjtë shprehen të pakënaqur edhe me faktin se ndryshimet në tekst nuk mund të bëhen çdo vit. "Këta ndjekin të njëjtën strategji çdo vit, por më duket absurde pretendimi se teksti ka ndryshuar, pasi jo çdo vit akademik një tekst pëson ndryshime, shto këtu edhe faktin se ka edhe nga ata pedagogë që na rekomandojnë tituj librash për të cilët nuk na pyesin fare", - sqarojnë ata dhe kërkojnë ndërhyrjen e rektoratit apo dekanatit për t'i dhënë fund kësaj mënyre të orientimit për të blerë libra të ndryshëm. Studentët shprehen se kjo është një metodë që aplikohet për të dyja sistemet e studimeve, qoftë të ditës, qoftë për ata që e ndjekin shkollën e lartë në sistemin me kohë të pjesshme.
(sg/shqiptarja.com)