Pedagogia 25 vjeçare: Ditën e parë
të punës më kanë kujtuar studente

Pedagogia 25 vjeçare: Ditën e parë<br />të punës më kanë kujtuar studente<br>
Ndodh të kuptojmë vonë se kemi humbur vitet e rinisë, pa investuar tek vetja, pa e pasur të qartë ku duam të arrijmë por duke pritur që e ardhmja të jetë më e mirë. Por kjo nuk ka ndodhur me 25 vjeçaren, Ornela Hasrama, sot pedagoge në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë në departamentin e gjeografisë. Në një intervistë për Report Tv, pedagogia 25 vjeçare rrëfen përjetimin e ëndrrës së saj për të qenë pjesë kontributeve në shoqërinë shqiptare. Nga ëndrra e saj për të qenë një arkitekte me zë në Shqipëri, sot Ornela gjendet përballë studentëve si pedagogia e tyre.

Prej disa muajsh jeni pjesë e stafit akademik në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, në Departamentin e Gjeografisë. Do të doja të ndalesha pak tek fëmijëria juaj, të më prezantoni pak veten, cilat kanë qenë ëndrrat tuaja?

Fillimisht jam edukuar në gjimnaz profesional që ishte një gjimnaz pedagogjik i Tiranës. Kisha fatin të isha pjesë e brezit të fundit të gjimnazit pedagogjik, të shkollës “Sadik Staveleci” me një staf të shkëlqyer nga i cili kam mësuar shumë dhe më ndihmoi që mësuesinë ta shoh si pasion dhe jo si punë. Fillimisht ëndrrat e mia, kanë qenë studimet e arkitekturës, prindërit e mi ishin ata të cilët ngulmonin apo më nxitën që të ndjek mësimdhënien, kjo për arsye se ju dukej shumë e përshtatshme për mua dhe motrën ku edhe ajo është mësuese në gjimnaz. Kemi të njëjtin profesion, ndajmë të njëjtat problematika gjatë ditës.  

Në fakt prindërit janë ato që na njohin më mirë dhe mendoni se duke iu njohur ju, është kjo arsyeja pse ata kanë këmbëngulur që të vazhdoni për pedagogji?

Unë jam një vajzë, e cila më pëlqen shumë të kem komunikim me njerëzit, dua të jem sa më afër personave të caktuar që studiojnë fusha të ndryshme dhe dua të njoh kultura të reja, të popullsive të ndryshme dhe jam tip shumë i shoqërueshëm. Mbase kjo i ka shtyrë edhe prindërit e mi që të më drejtojnë në profesionin e mësimdhënies duke pasur para sysh edhe faktin që është një punë që nuk kërkon sakrifica të kohës apo të mëdha fizike. Është shumë e përshtatshme, je më pranë familjes, nëse diçka është e nevojshme, mund të shikosh shumë mirë punën dhe familjen.

Pse gjeografinë?  

Gjeografia ka qenë preferenca ime e parë, nuk është një shkencë e cila mendohet nga të gjithë, që merret vetëm me veçoritë fiziko-gjeografike të shteteve. Gjeografia është një shkencë e cila përmbledh në vetvete tre fusha të caktuara, fushën fiziko- gjeografike, fushën e gjeografisë humane dhe ajo teknike që po merr sot shumë përparësi sidomos lëndë të ndryshme siç janë GIS dhe programe që ndihmojnë në përdorimin dhe realizimin e hartave. Unë personalisht jam në fushën e gjeografisë humane, është fiks ajo që unë ndihem më mirë, është fusha që ka më shumë hapësirë për të qenë praktike sepse sot studentët nuk kërkojnë të jenë mësonjës të teorisë, duan praktikën, duan gjëra konkrete, duan terrenin dhe ky është një avantazh shumë i madh.

Ornela, si ka qenë dita juaj e parë e punës, përballja me studentët, më trego pak?

Dita ime e parë ka qenë shumë e lezetshme sepse studentët nuk e dinin që po përballeshin me profesoreshën e tyre por me moshataren e tyre dhe në klasë sigurisht ku diskutohet në grup me njëri tjetrin, unë trokas në derë dhe normalisht ata mbeten të surprizuar sepse mendonin se jam shoqja e re e klasës, por sigurisht pas prezantimit reagimet kanë qenë shumë pozitive. Mundohem që tek studentët të ngjall një frymë pozitive tek ata dhe seminaret i realizoj në atë mënyrë që të jenë në formë lojrash  logjike dhe ti vë në lëvizje, ti aktivizoj të gjithë studentët, nuk dua që të ndjehen të përjashtuar apo të pa interesuar për lëndën.

Si është ruajtja e ekuilibrit, të themi të vërtetën një njeri në moshën 22 vjeçare, ka ato pikëpyetjet e tij, ndodh që të ketë ndonjë incident që tu ketë mërzitur?

Incident nuk mund të them por sigurisht në një klasë që mund të ketë 180 studentë apo në klasa më të vogla që mund të kenë 30 studentë apo edhe me grupe më të vogla me 10 studentë, nuk mund të themi që 100% e tyre duan të ndjekin të njëjtën rrugë si ty, absolutisht. Gjendesh edhe me studentë që rebelohen ndaj një fakti të caktuar dhe nuk është e thjeshtë ti menaxhosh, por mund të them që kam një natyrë që edhe toleroj edhe jam korrekte, edhe duhet t’i stimuloj sigurisht edhe dua që të dinë disa etika dhe norma që duhet ti kenë parasysh qoftë për zgjidhjen e një problemi të caktuar, qoftë në komunikim. Nuk jam natyrë që i bëj vërejtje para klasës dhe t’i ul personalitetin e tyre. Kjo është gjëja e fundit që mund tu kërkoj studentëve kundrejt meje dhe atyre. I marr veç në një moment të caktuar dhe diskutojmë për problemin se ku janë gjërat që nuk shkojnë. Kanë temperamente të ndryshme nga njëri tjetri dhe është pak e vështirë që ti kesh dhe ti orientosh për materiale të caktuara të gjithë bashkë, por duhet shumë maturi dhe përgatitje në mënyrë që ata të ndihen shumë komod në orën e seminareve përgjithësisht.

Si është gjendur një 25 vjeçare në stafin akademik, si të kanë pritur?

Kam një mbështetje të jashtëzakonshme, qoftë nga sugjerimet që ata bëjnë sepse jam e re në këtë drejtim, në karrierën time akademike dhe sigurisht kam shumë nevojë për sugjerime dhe për shumë këshilla, shumë orientime të cilat të më çojnë drejt suksesit në karrierën profesionale. Jam shumë me fat dhe ndoshta vështirësitë zvogëlohen kur je me fat.

Mendoni se mësimdhënia do të ishte kështu?

Duke e krahasuar me vendet evropiane, themi që kemi shumë punë për të bërë, kjo ndoshta nga infrastruktura fiziko- sociale, çdo gjë lidhet me këtë aspekt. Të jemi të sinqertë, duam të realizojmë metoda të reja, të kemi mjete didaktike, të kemi një mësimdhënie sa më tërheqëse, por jo gjithmonë mund ta realizojmë. Mundohemi në maksimum, aq sa mundemi, por jo gjithmonë është 100% më i mirë i dhënë gjatë mësimdhënies, qoftë edhe gjatë kontrollit të njohurive të studentëve. Kemi goxha gjëra që duhen rregulluar, por sigurisht jemi në rrugën e duhur.

Por çfarë raporti kanë studentët me pedagogen e re Ornela Hasramën?

“Raporti me zysh Ornelën është shumë i këndshëm, nuk lidhet me raportin e përhershëm që studentët kanë me pedagogët por një raport shoqërorë më shumë. Kjo gjë e bën një ndër pedagogët më të veçantë sepse të qenurit shok me studentin krijon lirshmëri, krijon bashkëpunim dhe nëse qëndron te ky raport, studentët do të ishin më rezultativ në orët e mësimeve dhe do të mësonim për dije dhe jo për notë”, thonë studentët.

Mes problemeve të shumta që gjendet vendi ynë, Ornela mbetet optimiste për të ardhmen dhe na tregon shembullin më të mirë se nëse përpiqesh dhe punon fort, ëndrrat përmbushen.

Redaksia Online
A.Gj/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Sa i përhapur është korrupsioni në Shqipëri?



×

Lajmi i fundit

Kristjan Asllani i katërti, kush janë tre shqiptarët e tjerë që kanë fituar Serie A

Kristjan Asllani i katërti, kush janë tre shqiptarët e tjerë që kanë fituar Serie A