Një profesor në Kabul i grisi diplomat e tij drejtpërdrejt në një televizion në Afganistan në shenjë proteste kundër ndalimit të arsimimit të femrave nga talebanët.
Profesori, i quajtur Ismail Mashal, është themelues i Universitetit privat Mashal në Kabul dhe gjithashtu një pedagog në Universitetin e Kabulit. Ai moment është komentuar nga disa media lokale dhe ndërkombëtare pasi ishte një vendim i vështirë, por me vullnet të plotë nga ana e profesorit. Vite të tëra karrierë dhe përpjekje, u dogjën live në emision. Sipas tij, diplomat që kishte marrë nuk kryenin më funksion e tyre. Ai ishte shumë i emocionuar dhe i përlotur nga vendimi.
“Nga sot nuk më duhen më këto diploma sepse ky vend nuk është më vend për arsimim. Nëse motra ime dhe nëna ime nuk mund të studiojnë, atëherë as unë nuk e pranoj këtë arsim”, tha ai.
Ai shtoi se diplomat që dogji ishin diplomat origjinale dhe jo kopje. Videoja e veprimit të tij që është bërë virale, duke përfshirë edhe komentin nga Shabnam Nasimi, ish-këshilltarja e politikave të Ministrit për Zhvendosjen Afgane dhe Ministrit për Refugjatët, me qendër në Mbretërinë e Bashkuar.
“Skena befasuese kur një profesor universiteti në Kabul shkatërron diplomat e tij në TV live në Afganistan”, shkroi Nasimi në Twitter.
Talebanët njoftuan më 20 dhjetor se arsimi universitar për të gjitha studentet femra ishte pezulluar. Kjo vjen pasi ata ndaluan vajzat të ndjekin shkollën e mesme, vendim ky i marrë që në mars të këtij viti.
Gjthashtu, këto dy vendime vinë pas një sërë ndalimesh të tjera për gratë, duke përfshirë aksesin e tyre në hapësirat publike. Në nëntor, gratë u ndaluan për të hyrë në të gjitha parqet në Kabul. Në të njëjtin muaj, një zyrtar taleban në Kabul njoftoi se gratë do të ndalohen të përdorin palestrat në të gjithë vendin.
Grave u kërkohet gjithashtu të mbajnë mbulesën e fytyrës dhe të vishen në mënyrë modeste në publik sipas rregullave talebane.