PEKIN, 7 shtator /ATSH-AFP/ - Kina njoftoi sot një rishikim në rënie të rritjes së PBB-së në vitin 2014, në 7,3 për qind kundrejt 7,4 për qind, në një klimë shqetësimesh në rritje mbi ekonominë e dytë botërore.
Kina, që theksoi se stuhia e bursës qëndron pas këtij fakti, do të publikojë në ditët e ardhshme shifra shumë të pritshme të tregtisë së jashtme, inflacionit, shitjes me pakicë, prodhimit industrial dhe investimeve në kapital fiks.
Rishikimi i PBB-së 2014, reduktuar me 0,1 pikë, është rezultat i një konfirmimi paraprak", theksoi Zyra Kombëtare e Statistikave kineze (BNS) në një komunikatë. Një shifër përfundimtare do të komunikohet në muajin janar.
Shifra prej 7,4 për qind për vitin 2014, njoftuar në muajin janar, përbën tashmë nivelin më të ulët që prej vitit 1990.
Tregjet e bursës u përfshinë nga paniku muajin e kaluar për shkak të shqetësimeve mbi ekonominë kineze, ngadalësimi i rritjes të të cilës prek pjesën tjetër të ekonomisë botërore.
Pas disa viteve të rritjes me dy shifra, Pekini tenton të nisë një ndryshim drejt një modeli të ri rritjeje, nxitur nga konsumi më shumë sesa nga investimet publike.
Rritja gjatë dy tremujorëve të parë të këtij viti ka vijuar me ngadalësim duke arritur në shtatë për qind.
Objektivi i autoriteteve është një rritje prej rreth shtatë për qind në vitin 2015, edhe pse një numër analistësh dyshojnë për arritjen e këtij niveli./







