Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e vendosi zgjerimin e Bashkimit Europian në qendër të debatit për sigurinë e kontinentit, gjatë Konferencës së Kryetarëve të Parlamenteve të BE-së në Danimarkë.

Në një kohë tensioni gjeopolitik, me luftën në Ukrainë dhe zhvillimet në Lindjen e Mesme, Peleshi artikuloi qëndrimin e Shqipërisë se integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është thjesht proces politik, por nevojë strategjike për një Europë më të fortë.

Peleshi e konsideron zgjerimin si instrument kyç për stabilitetin, duke paralajmëruar se lënia jashtë e rajonit krijon hapësira për ndikime të tjera dhe rrit pasiguritë.

Në të njëjtën linjë, ai kërkoi një perspektivë më të qartë për vendet kandidate, si shtysë për reformat dhe forcimin e institucioneve demokratike. Sipas tij, vetë Bashkimi Europian përfiton nga ky proces, përmes fuqisë punëtore të re, pozicionit strategjik dhe burimeve energjetike që ofron rajoni. Kreu i Kuvendit u ndal edhe te ritmi i procesit, duke sinjalizuar se vonesat e pajustifikuara dëmtojnë ndikimin e BE-së në Ballkan.

Në fjalën e tij, Peleshi nënvizoi edhe rolin e parlamenteve si aktorë kyç në integrim, përmes miratimit të reformave dhe mbikëqyrjes së qeverive. Sa i përket Shqipërisë, ai evidentoi  progresin e bërë dhe përkushtimin ndaj rrugës europiane, si dhe angazhimin në politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe në NATO.

Konferenca në Danimarkë është një platformë e rëndësishme për shkëmbimin e pikëpamjeve ndërmjet liderëve parlamentarë, forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e qëndrimeve për sfidat që përballet Europa dhe zgjerimi i BE-së, në një rend botëror në ndryshim.