Në një intervistë me Corriere della Sera, ish-sekretari i përgjithshëm i NATO, Anders Fogh Rasmussen, shprehet se europianët “mund ta sfidojnë qartë Donald Trumpin për çështjen e Iranit, duke propozuar një marrëveshje shkëmbimi" Në çdo rast, ai mendon se koha e lajkave ka marrë fund.
73 vjeçari, ka qenë sekretar i përgjithshëm i NATO nga gushti 2009 deri në tetor 2014. Ai erdhi në këtë post pasi kishte shërbyer si kryeministër i Danimarkës nga nëntori 2001 deri në prill 2009.
Donald Trump vazhdon të sulmojë aleatët europianë për mungesë bashkëpunimi në luftën kundër Teheranit.
“Unë shoh dy gabime. I pari është i Trump-it, sepse nuk i ka informuar dhe përfshirë partnerët europianë. I dyti është i yni, sepse kemi thënë se kjo nuk është lufta jonë. Nuk është e vërtetë. Edhe Europa ka interesa të forta në rajonin e Gjirit dhe tani përballet me problemin se si të rihapet Ngushtica e Hormuzit.Europianët mund ta sfidojnë Trump-in shumë qartë: ne ju ndihmojmë të vendosni rend në kaosin e Lindjes së Mesme, ndërsa ju konfirmoni angazhimin e SHBA-ve në Europë dhe në krah të Ukrainës" thotë ai
Sekretari i NATO, Mark Rutte, ka frikë se Donald Trump mund ta çojë drejt dështimit samitin e korrikut në Turqi. A ka të drejtë?
“Trump nuk mund të vendosë të tërhiqet nga NATO pa miratimin e Kongresit. Por fakti që vazhdon të hedhë dyshime mbi gatishmërinë për të respektuar nenin 5 (që do të thotë se vendet i dalin në ndihmë njëri-tjetrit në rast sulmi) e ka dobësuar tashmë politikisht aleancën. Dhe mund ta vazhdojë këtë duke mos marrë pjesë në stërvitje ushtarake, duke shmangur samitet, e kështu me radhë.”
A ka ende kuptim të përpiqesh ta zbusësh Trump-in, siç po bën Rutte?
“Sekretari i NATO-s po bën detyrën e tij: të mbajë të bashkuar aleancën. Por mendoj se koha e lajkatimit ka mbaruar. Është e qartë që Trump nuk i vlerëson fare lajkat — i sheh si shenjë dobësie. Në këtë pikë, europianët duhet ta përballin duke përdorur të njëjtën qasje si ai.”
Duke vepruar me më shumë autonomi?
“Sigurisht. Duhet të fillojmë një rrugë që na çon drejt aftësisë për t’u mbrojtur vetë. Natyrisht, kjo nuk arrihet shpejt — jemi ende shumë të varur nga Shtetet e Bashkuara, sidomos për furnizimet me armë. Por ekziston një bazë mbi të cilën mund të punohet: koalicioni i vendeve të gatshme, i udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Ky duhet të zgjerohet edhe me Ukrainën, e cila tashmë është bërë një fuqi e mirëfilltë ushtarake.”
Po mendoni për një bllok të ndarë nga NATO?
“NATO mbetet themeli i mbrojtjes europiane: nuk mund të heqim dorë nga ombrella bërthamore amerikane. Por unë po flas për mbrojtjen konvencionale. Në këtë drejtim mund të ndërtohet një bllok më autonom, me vende anëtare të NATO-s dhe me Ukrainën. Por kushdo që i bashkohet duhet të marrë angazhime të qarta — për shembull, të përshpejtojë rritjen e shpenzimeve për mbrojtjen deri në 5% të PBB-së. Samiti i fundit i NATO-s ka vendosur një afat prej dhjetë vitesh, por duhet më shumë ambicie. Sipas vlerësimeve të disa shërbimeve të inteligjencës, Rusia mund të jetë në gjendje të sulmojë Europën deri në vitin 2030.”
Çfarë roli mund të luajë Italia?
“Një rol shumë, shumë të rëndësishëm. E di që ka debat të madh për riarmatimin, por kam vlerësuar vendimin e qeverisë italiane për të rritur shpenzimet për mbrojtjen. Për më tepër, Italia ka një industri ushtarake shumë të zhvilluar, që mund të kontribuojë në krijimin e një prodhimi të përbashkët europian.”/CorrieredellaSera
Komente









