Peleshi: Përtej kursit pengues të opozitës, Kuvendi u ka hapur rrugë proceseve të rëndësishme! Vullnet politik për të avancuar reformat

Kreu i Grupit të PS, Niko Peleshi në fjalën e tij në Kuvend tha se Shqipëria ndodhet në një moment historik me hapjen e grupkapitjeve për ‘themeloret’ dhe marrëdhëniet me jashtë. Peleshi tha se këto hapa dëshmojnë vullnetin politik për të avancuar reformat dhe për të integruar vendin në BE.

Peleshi tha se pavarësisht kursit pengues të opozitës, Kuvendi u ka hapur rrugë procese të rëndësishme të progresit ekonomik e shoqëror.

"Në nisje të këtij sesioni parlamentar, dëshiroj t’u uroj të gjithë deputetëve suksese dhe punë të mbarë për këtë sesion parlamentar. Ky sesion pritet të jetë i ngarkuar me aktivitet parlamentar në komisione, seanca parlamentare dhe aktivitete brenda dhe jashtë vendit, si dhe me një angazhim të shtuar në zonat elektorale, duke pasur parasysh stinën politike parazgjedhore.

Secili prej nesh ka një rol të pazëvendësueshëm në përmbushjen e detyrimeve ndaj votuesve, tani dhe në realizimin e ambicies për votën e diasporës, e cila do të bëhet realitet në zgjedhjet politike të pranverës. Në sesionin e kaluar, Kuvendi miratoi 36 akte, duke arritur konsensus në 4 prej tyre ndërmjet mazhorancës dhe opozitës.
Kuvendi ka një rol kyç, krahas qeverisë dhe institucioneve të pavarura, në avancimin e reformave.

Miratimi i Ligjit të Buxhetit 2025 shënon një arritje të rëndësishme, duke u bazuar në rritjen ekonomike të qëndrueshme, konsolidimin fiskal dhe mbështetjen për sektorët strategjikë. Prioritetet e buxhetit përfshijnë forcimin e infrastrukturës, modernizimin e shërbimeve publike dhe avancimin e programeve sociale në arsimi, shëndetësi dhe mbrojtje sociale.

Këto prioritete janë mbështetur nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor, duke synuar konvergjencën me vendet e BE-së. Mirëadministrimi, transparenca dhe investimet strategjike synojnë zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve. Falë punës së Kuvendit, Shqipëria sot disponon 3 herë më shumë burime se në vitin 2013 dhe një ekonomi dyfish më të madhe. Pavarësisht retorikës destruktive dhe pengesave, Kuvendi ka hapur rrugën për progres ekonomik dhe shoqëror. Shqipëria ndodhet në një moment historik.

Në tetor 2024, vendi hapi negociatat për grupkapitullin e parë të anëtarësimit në BE, që trajton shtyllat kyçe të shtetit të së drejtës, të drejtave themelore dhe reformës në drejtësi. Kuvendi ka luajtur një rol të rëndësishëm në hartimin e udhërrëfyesve kryesorë për reformën në drejtësi, administratën publike dhe axhendën e reformave. Hapja e negociatave për grupkapitullin e gjashtë në dhjetor 2024 ka rikonfirmuar pozicionin e Shqipërisë si një partner strategjik. Këto hapa dëshmojnë vullnetin politik për të avancuar reformat dhe për të integruar vendin në BE.

Imazhi i Shqipërisë sot është përmirësuar ndjeshëm në arenën ndërkombëtare. Nga një vend me pak takime në kancelaritë e BE-së, sot Shqipëria është pritëse e samiteve të BE-së dhe NATO-s. Punët e Shqipërisë nuk kanë përfunduar. Reformat si ajo në drejtësi kanë dhënë rezultatet e para, por ka ende shumë për të bërë. Ne si deputetë duhet të kontribuojmë në ndërtimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për reformimin e vendit. Komisionet për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin, si dhe për Dezinformimin, janë instrumente të rëndësishëm që përforcojnë angazhimin për forcimin e shtetit dhe mirëqeverisjen.

Rreth 45 mijë shqiptarë nga diaspora janë regjistruar për të ushtruar të drejtën e votës nga vendet ku jetojnë. Vota e diasporës ka qenë një angazhim i përhershëm i Partisë Socialiste. Konsensusi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor është një moment pozitiv i politikës konstruktive. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste pret të votojë ndryshimet në Kodin Zgjedhor, duke i dhënë KQZ-së kohën e nevojshme për implementimin e tyre. Qeveria ka alokuar fonde për të garantuar një proces votimi falas për diasporën.

Zgjedhjet politike janë gjithmonë një moment vendimtar. Partia Socialiste ka ditur të reflektojë mbi rezultatet dhe të punojë për përmbushjen e ambicies historike: anëtarësimi i Shqipërisë në BE brenda vitit 2030", tha Peleshi. 


Lajmi kryesor:

Kuvend/ Bardhi sulmon Begajn: Sekretar i Taulant Ballës! Spiropali thirrje diasporës të votojë për zgjedhjet


SI.E./r.k./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 20 Janar, 09:13

    Betohet Trump, a do të ndryshojë politika e SHBA-ve ndaj Shqipërisë?



×

Lajmi i fundit

Dreka zyrtare pas inaugurimit, Trump dhe Melani të trishtuar si në 'ceremoni motore' (FOTO)

Dreka zyrtare pas inaugurimit, Trump dhe Melani të trishtuar si në 'ceremoni motore' (FOTO)