Report TV e gjeti dje në një takime me grupe interesi në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore, nga ku i mori një intervistë mbi projeksionin e ri të qeverisë dhe administratës.
Peleshi tha se do të kemi një arkitekturë krejtësisht të re sa u takon agjencive dhe drejtorive të varësisë, por shtoi se nuk është ende e qartë nëse do të kemi më pak apo më shumë agjenci.
Deputeti tashmë i zgjedhur socialist, tha se synohet riorganizim i kompetencave të institucioneve dhe agjencive, madje dhe një rindarje mes funksioneve vendore dhe atyre qendrore.
Z. Peleshi, ju si drejtues politikë të qarqeve, keni nisur një tur dëgjesash me qytetarët, që ndër gjërat kryesore, synon mbledhjen e denoncimeve dhe ankesave ndaj zyrtarëve. Ndërkohë, është e mundshme, që qytetarët për qëllime të caktuara të abuzojnë në informacionet që mund të japin. Si do të arrini ju që të verifikoni këto denoncime për të marrë pastaj vendime?
Kjo është një fushatë dëgjesash ku është përfshirë jo vetëm kryeministri, ministrat apo deputetët, por edhe kandidatët për deputetë.
Gjithë lista jonë e kandidatëve është përfshirë në këtë dëgjesë publike, që në thelb është materializimi i asaj çfarë kemi thënë gjatë fushatës, por jo për shkak të fushatës, pra, bashkëqeverisje me qytetarët.
Ne, për ta thënë hapur, kemi shpëtuar nga nevoja për të patur koalicione partish, gjë të cilën kryeministri e thotë edhe në mënyrë më metaforike, përmes tepsisë, por kjo na e ka bërë akoma më të domosdoshme, ndërtimin e një koalicioni të ri, që është koalicioni me qytetarët.
Këtë koalicion ne duam që realisht ta kthejmë në një kulturë të re qeverisëse. Duam të ndërtojmë një kulturë të tryezave të përbashkëta ku komuniteti të ulet me deputetët, me përfaqësuesit e vetë, më vonë edhe me qeverinë e re, dhe të ndajë shqetësimet dhe problemet. Kur ne kemi shkuar në zyrë në vitin 2013, nuk është se kemi gjetur në tavolinat tona të punës dosje projektesh, projekt-idesh apo prioritetesh të çdo zone të Shqipërisë.
Tani do ta kemi këtë produkt, pasi, siç e thashë, në çdo njësi administrative të Shqipërisë, çdo deputet sipas zonës së tij të mbulimit, është duke zhvilluar këto biseda, ku dalin këto problematike, dhe pastaj filtrohen 3-4 prioritetet apo çështjet kryesore. Ne nuk jemi një vend i pasur, madje as vendet e pasura nuk kanë mundësi që të realizojnë me burimet e veta financiare përmbushjen e të gjitha problemeve.
Kjo bën të domosdoshëm prioritarizimin. Por, prioritazim pa njohur problematikat, nuk mund të ketë. Ky është qëllimi i këtij turi të madh që do të vijojë përgjatë gjithë verës, deri në shtator kur qeveria e re do të marrë mandatin për të qeverisur.
Korça nuk është e vetmja, por ka filluar që aty shkarkimi nga detyrat shtetërore i njerëzve që janë të LSI-së. Po bëni vetëm një spastrim për shkak të teserës së partisë, apo keni dhe do të keni në konsideratë edhe performancën institucionale të funksionarëve?
Kur ne flasim për administratë meritokratike, nuk e kemi fjalën për nëpunës të cilët mbajnë në xhep teserën e një partie të caktuar, por e kemi fjalën për të ndërtuar një profil të nëpunësit, i cili shkon aty jo për shkak të teserës, qoftë kjo edhe tesera e Partisë Socialiste që është sot e vetme në pushtet.
Ne duam të ndërtojmë një administratë ku një person vjen dhe e mban pozicionin e punës me meritë, për shkak të dijeve dhe kualifikimit të vazhdueshëm.
Nuk është se po bëhet ndonjë spastrim i caktuar duke pasur parasysh individë me tesera të caktuara partie.
Është e vërtetë që ka pasur dy raste në qarkun e Korçës, ku unë kam dijeni. Kanë qenë dy përfaqësues politikë të LSI-së në bashkinë e Korçës dhe Maliqit,(kaq kam unë dijeni) nuk janë më në punë. Por këto janë pozicione politike, nuk ka lidhje me gjithë reformimin tonë të administratës dhe nëpunësit civil.
Kryeministri ka folur për një ristrukturim jo vetëm të administratës, por edhe të ministrive. Ju jeni mandatuar prej tij në krye të një grupi pune, i cili do të paraqesë një raport rekomandimesh se si duhen reformuar ato. Si po e ndërtoni këtë punë, dhe, a keni një projeksion se si do të shkohet? Në shkurtim apo shtim të portofolave ministrore?
Unë dhe 4 kolegë, ministra e ish ministra të qeverisë sonë, jemi në një grup pune për këtë çështje.
Ne kemi ndërtuar edhe një grup ekspertësh të çështjeve të ndryshme për të mbuluar të gjithë sektorët. Duam të ndërtojmë një arkitekturë të re të të gjitha agjencive dhe institucioneve të varësisë, në nivel lokal dhe qendror, për të pasur një strukturë qeverisëse më eficente, më efikase. Ne nuk vuajmë vetëm nga cilësia e punës, por edhe nga zgjidhje jo inteligjente të arkitekturës.
Kemi shpesh herë agjenci të mbivendosura me njëra-tjetrën, apo agjenci të ngarkuara shumë me punë, ndërsa agjenci të tjera vegjetojnë. Mbivendosja e funksioneve shpesh herë do të thotë edhe ngarkesë për qytetarët, ulje rendimenti.
Ato institucione apo inspektorate që kanë lidhje me biznesin kthehen pastaj në shtim burokracie apo dhimbje koke për biznesin. Unë vij tani nga disa takime në funksion të kësaj detyre, me grupe interesi në fushën e bujqësisë dhe sigurisë ushqimore.
Kam takuar në mënyrë të ndarë përfaqësues së industrisë së qumështit, mishit, thertoreve, ejt. Tani do të vazhdoj me perimet, sepse në këtë punë të marrim edhe mendimin e grupit të interesit.
Ata e dinë më mirë se ku ka moseficentë nga administrata. Kjo moseficencë na vjen edhe nga puna e dobët e punonjësve, të cilët, duhet ta pranojmë, shpesh herë janë aty jo për shkak të meritës, por për shkak të partisë, por edhe për shkak se nuk janë të ndërtuara mirë strukturat.
Ka funksione të ndara mes pushtetit qëndror dhe vendor që nuk meritojnë të jenë të tilla, sepse kur një funksion është i ndarë krijon kakofoni, përplasje, apo paqartësi. Duam në këtë mënyrë të shmangim burokracitë, duke reduktuar korrupsionin.
Kjo është sa u takon agjencive. Unë dua t’ju pyes për numrin e ministrive. A keni një orientim nëse duhen shkurtuar apo shtuar portofolet ministrore?
Këtë nuk mund ta them unë. Natyrisht që është e drejta e kryeministrit për të propozuar një strukturë të qeverisë.
Ne nuk kemi aktualisht një parim numerik për të ndjekur, pra, nëse do të ketë më shumë agjenci apo më pak agjenci, apo më shumë ministri, a më pak të tilla. Ajo që na orienton është vetëm eficenca apo efikasiteti i agjencive tona.
Nëse do të ketë nevoja për zgjerim do t’i zgjerojmë. Në rast se do të ketë agjenci ku punonjësit vegjetojnë, padyshim do të ketë shkurtime. Nuk kemi një orientim sasior nga kryeministri. Ai do të jetë cilësor.
Z. Peleshi, është normale që ju të keni ambicie për të qenë pjesë e qeverisë “Rama II”. A keni ju një pritshmëri konkrete, se cilin dikaster do të donit të drejtonit?
Personalisht unë kam ambicie dhe interes të kontribuoj për komunitetin dhe për ata që më kanë besuar. Unë nuk kam pasur më parë një mandat deputeti.
Kam pasur dy herë mandatin e kryetarit të bashkisë dhe pastaj kam pasur një mandat të zgjedhur, por të përzgjedhur nga kryeministri, të cilën jam munduar ta bëj me shumë përkushtim. Ky mandat që kam marrë sot, nga njëra anë më bën krenar, nga ana tjetër më bën edhe shumë përgjegjës.
Sidomos, sepse përfaqësoj një zonë që ka prodhuar histori, ka qytetari dhe kërkesa të larta. Kërkesat janë rritur edhe për shkak të standardit të arritjeve në atë zonë. Standardi i kërkesave është rritur në atë zonë.
Prandaj, të ta them me pak fjalë, nuk ka rëndësi se çfarë pozicioni do të ketë Niko Peleshi. Unë, në këtë mandat që tashmë e kam marrë me votën e qytetarëve, besoj kam të gjitha mundësitë të vijoj të kontribuoj e të ndryshoj për mirë jetën e njerëzve.
I vetmi frymëzim dhe kënaqësi e imja, është kur e shikoj që përmes punës sime të përditshme, kam bërë më të mirë jetën e komunitetit.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com