Pëllumb Xhufi: Aleks Buda, siç nuk e kemi njohur

Pëllumb Xhufi: Aleks Buda, siç nuk e kemi njohur

Aleks Buda

Ishin ditët e fundit të dhjetorit 1992, kur i kthyer në Shqipëri pas një mungese të gjatë, mbajta vrapin te shtëpia Buda, në rrugën “Fortuzi”. Profesorin e gjeta keq, shumë më keq se ç’e kisha lënë një vit e gjysëm më parë. Tek e shihja ashtu të përhumbur në një botë të pakapshme, m’u kujtua shakaja profetike që na bëri në vitin 1985, neve nxënësve e bashkëpunëtorëve të vet, që e uronim për përvjetorin e 75 të lindjes.

“Tani mund të them se e lashë prapa malin e Dajtit, dhe kam marrë rrugën për Malin me Gropa”. Në fakt, tani Prof. Buda ishte në një rrugë pa kthim: këmbët e kishin lënë plotësisht, trupi i kishte ngrirë dhe mendja e fjetur rrallë zgjohej e jepte shkëndija kthjelltësie. E në një nga këto çaste, kur unë e Marini, nipi i tij i pandarë, bisedonim për shumëçka, syri i tij kapi në televizorin e ndezur pamjet nga ceremonia fetare e Krishtlindjeve në kishën ortodokse të Hyjëlindëses dhe, kur askush s’e priste, nga ajo gojë e heshtur e Profesorit doli një piskamë plot thirrje e dëshpërim: “Na e rrëmbyen kishën, o djem”! Dhe u rikrodh në pafuqinë e dëshpërimin e tij.

Ndonjë vit më vonë e kuptova se ajo thirrje e Profesorit, që na befasoi, mua, por edhe Marinin, nipin e tij të dashur e të pandarë, ishte “thirrja e të parëve”. Më qëlloi atë kohë të lexoj librin e autores greke Elefteria Nikolaidhi “Propagandat e huaja dhe lëvizja kombëtare shqiptare në provincat kishtare të Durrësit e të Beratit”. Historianes greke, që rrekej ta paraqiste Rilindjen shqiptare si krijesë të Austro-Hungarisë e Italisë dhe gati-gati si një ndërhyrje të tyre në “punët e brendshme” të Greqisë, i shpëton një histori që e hedh poshtë përfundimin e paragjykuar të shprehur me arrogancë që në titullin e librit të saj. Shkruan ajo, se në prill të vitit 1907, ndërsa në Amerikën e largët djaloshi Fan Noli i vinte vetes detyrën historike të pavarësimit të ortodoksisë shqiptare nga kthetrat e Patrikanës greke, Mitropoliti grek i Durrësit, Joani, i dërgonte një informacion Ministrisë së Jashtme të Greqisë, ku ai padiste farmacistin e njohur elbasanas, Dhimitër Buda, si një nacionalist shqiptar, ndër më të rrezikshmit.

Shtëpia e tij në lagjen “Kala”, shkruante mitropoliti, “ishte kthyer në një çerdhe për subversivët dhe për armiqtë e helenizmit, të Patrikanës së Stambollit dhe të qeverisë turke”. Më tej, Mitropoliti e denonconte Dhimitër Budën si bashkëpunëtor të rregullt të gazetave patriotike “Drita” të Sofjes dhe “Kombi” të Bostonit. E pra, kaq mjafton për të kuptuar se në ç’rreth familjar ishte lindur e formuar Aleks Buda. Është për të shpresuar, që Dhimitër Budës, babait të tij, i cili një vit më vonë, në 1908, ishte mes elitës së rilindësve shqiptarë në Kongresin e Manastirit, Enciklopedia Shqiptare që po përgatitet nga Akademia e Shkencave, do t’i japë, më në fund, vendin e merituar. Me një babë të tillë, mishërim i idealeve të Rilindjes Kombëtare, fati i Aleks Budës ishte i paracaktuar. Ai u dërgua për studime të gjata e të mundimshme në degën klasike, në Itali e në Austri, për t’u përgatitur në lëmin e historisë e filologjisë klasike. Mësoi deri në perfeksion gjuhët “e vdekura”, latinishten e greqishten e vjetër. Të tjerat, ato të gjallat, i përpiu me një frymë. U ushtrua në terrenin e vështirë të albanologjisë, duke përvetësuar në mënyrë kritike veprat e kolosëve të shkollës gjermano-austriake, Thunmann, Fallmerayer, Hann, Hopf, Jireçek, Šufflay, Jokl, Stadtmüller, Nopcsa, Praschniker, Patsch e plot të tjerë.

Historian me formim solid, Prof. Buda tregonte kureshtje e interes për çdo fushë të dijes e të kulturës, për filozofinë, gjuhën, antropologjinë, arkeologjinë, letërsinë, teatrin, pikturën dhe padyshim poezinë. Jo vetëm ne studentët e tij, por edhe personalitete të njohura evropiane të shkencës e të kulturës, përfshirë edhe politikanin Franz Jozef Strauss, i formuar edhe ai si Buda në shkollën e studimeve klasike, admiruan aftësinë e artin e jashtëzakonshëm të këtij historiani të Mesjetës, që recitonte në gjuhët përkatëse Homerin, Virgjilin, PËLLUMB XHUFI Duke kujtuar Aleks Budën Goethen e Heinen. Me një zë prej predikatori dhe me një kadencë ritmike, që magjepste dëgjuesit.

Si të gjithë studentët e atij brezi të papërsëritshëm të shkollës vjeneze, Eqrem Çabej, Hasan Ceka, Lazgush Poradeci, edhe Aleks Buda u kthye për të shërbyer në atdhe, me formim të thellë, me ide dhe objektiva të qarta. Shqipëria i ngjante një toke të papunuar për sa i përket studimeve albanologjike, në përgjithësi, e atyre historike, në veçanti. Fqinjët e saj, qyshse ishin krijuar si shtete të pavarura, rreth një shekull përpara Shqipërisë, kishin pasur si kujdes të parë krijimin e Akademive të tyre të Shkencave dhe shkrimin e historive të veta kombëtare, Ishte koha, kur historia i shërbente si suport politikës dhe kur kjo e fundit luftonte t’i arrinte objektivat e saj duke përdorur autoritetin e rëndë të historisë. Por në Shqipëri, shkenca historike ishte ende në embrionet e veta. Deri në vitet ‘40 të shek. XX, ajo mund të prezantohej me disa sprova vullnetmira të Dom Ndoc Nikajt me historinë e tij të Shqipërisë e të Midhat Frashërit, Kristo Dakos e Xhaferr Belegut mbi Lidhjen e Prizrenit. Të nivelit të vërtetë shkencor ishin monografitë e Athanas Gegajt e sidomos të Fan Nolit mbi Gjergj Kastrioti-Skënderbeun. Por mungonin kërkime fondamentale, ekstensive e intensive, për të mos folur për studime ndërdisiplinore, të domosdoshme për të trajtuar sidomos periudhat e ashtuquajtura të errëta të historisë. Sepse mungonte, para së gjithash, një shkollë historiografike shqiptare, e cila të mund të thyente monopolin që kishin të huajt mbi historinë e Shqipërisë e të shqiptarëve. Më të mirët ndër ta, Karl Hopf e Konstantin Jireçek, e kishin përfshirë historinë mesjetare të shqiptarëve në vepra që kishin për objekt historinë e popujve të tjerë, përkatësisht historinë e grekëve (Hopf) dhe atë të serbëve e bullgarëve (Jireçek). Si drejtues i Departamentit të Historisë së Mesjetës, e më vonë si Kryetar i Akademisë së Shkencave, Prof. Buda insistoi për shkrimin e një Historie të Shqipërisë nga vetë studiuesit shqiptarë, fillimisht duke shfrytëzuar lëndën e njohur burimore dhe ata pak studiues që disponoheshin në Shqipërinë e pasluftës. Në 1959 u botua e para Histori e Shqipërisë në dy vëllime, e cila padyshim ka meritën që, mirë apo keq, mbushi një zbrazësi që rëndonte në ndërgjegjen e çdo intelektuali e qytetari shqiptar. Më tej, me krijimin e Akademisë së Shkencave (1972), me interesimin e insistimin e Prof. Budës u arrit të krijohej një shkollë e vërtetë albanologësh: historianë, gjuhëtarë, arkeologë, etnografë, studiues të artit, të përgatitur në universitetet tona.

U arrit madje të bëhej edhe e pamundura për kushtet e Shqipërisë së izoluar të asaj kohe. U dërguan për studime të plota apo specializime të gjata studentë e specialistë të rinj të këtyre fushave në universitetet më të mira të Evropës perëndimore, në Francë, Itali, Austri, Greqi, Turqi. Kështu, në fillim të viteve ’80, ne kishim një grup shumë të mirë studiuesish në gjendje të shfrytëzonin burimet historike në gjuhët e rralla: latinisht, greqishte të vjetër e bizantine, në gjuhën osmane dhe në sllavishten kishtare. Nën kujdesin e drejtpërdrejtë dhe drejtimin shkencor të Prof. Budës, ky grup i kualifikuar studiuesish i hyri punës së mundimshme të mbledhjes e të botimit të dokumentacionit historik, gjë që i dha lëndë e frymë të re kërkimeve në fushën e albanologjisë. Idetë e Prof. Budës, të cilat ai “ua falte” pa kursim kolegëve të tij, të rinj e të vjetër, përbëjnë armaturën e shumë librave, punimeve e kumtesave të tyre. Konferencat Albanologjike, duke filluar nga ajo e para e vitit 1962, e rritën prestigjin e shkencës shqiptare, dhe Tiranës ju njoh botërisht roli i qendrës së studimeve albanologjike.

Ky fakt, dhe mbi të gjitha vlerësimi i lartë që ekzistonte te studiuesit e huaj për figurën e Prof. Budës, sollën në Tiranë emra sipërorë të shkencës botërore në fushën e historisë, gjuhësisë, arkeologjisë e antropologjisë: Franz Babinger, Halil Inalçik, Freddy Thiriet, Giuseppe Schirò, Dimitri Obolensky, Alain Ducellier, Peter Schreiner, Evangelos Chrysos, Bugumir Hrabak, Johannes Koder, Maximilian Peyfuss, Francisc Pall, Vladimir Georgiev, Domenico Mustilli, Emil Konduraqi, Joachim Werner, G. d’Andria, Pierre Cabane, Karl Treimer, Vittore Pisani, Gunnar Svane, Hermann Ölberg, Johannes Hubschmid, G. B. Pellegrini, Helmut Schaler, Henri Boisin, etj. etj. Duke e kthyer Tiranën në një qendër pelegrinazhi të detyruar për albanologët e huaj, Prof. Buda, bashkë me drejtuesit e tjerë të Akademisë së Shkencave, bëri të pamundurën, që studiuesit shqiptarë gjithashtu të marrin pjesë në kongrese e konferenca ndërkombëtare, në të cilat Kryetar i parë i Akademisë së Shkencave shkëlqente për dijet sovrane dhe oratorinë brilante.

Edhe pse e vlerësonte shumë veprën e albanologëve të shquar, duke filluar nga J. Ph. Fallmerayer, i përcaktuar prej tij si “pionieri i Albanologjisë”, e deri tek Georg Stadtmüller, themelues i Institutit të Studimeve Albanologjike në Universitetin e Mynihut, si historian i sintezave të mëdha, Prof. Buda, nuk mungoi t’i kundërvihet tezave të tyre, që ekzaltonin aftësi të veçanta “biologjike e racore” të popullit shqiptar, i cili falë tyre i mbijetoi tallazeve të historisë, duke u ndrydhur e duke u ruajtur në lartësitë e maleve si një relike e çmuar e kohëve të vjetra. Por si një relike me një forcë e me një potencial shpërthyes kolosal, që në një moment të caktuar doli nga “zonat e konservimit” për të përmbytur qytetet e fushat e Zetës, të Kosovës, Maqedonisë, Thesalisë, Epirit e Greqisë, deri në skajet më jugore të Peloponezit e të ishujve. Ky interpretim i historisë së shqiptarëve mbi bazën e premisave biologjike e racore, mund të përkëdhelte sedrën e ndonjë nacionalisti folklorist shqiptar. Por Prof. Buda e kuptoi i pari, se ky shpjegim e zhvendoste abuzivisht historinë e shqiptarëve jashtë shinave të historizmit, në periferi të zhvillimeve ekonomike, sociale e kulturore, në periferi të qytetërimit.

Me njohjen gjithëpërfshirëse që kishte të burimeve e të bibliografisë historike, me dhuntinë e një analize depërtuese dhe me qasjen e tij multidisiplinore, Prof. Buda provoi se, larg së qeni një relikë e strukur dhe e konservuar në gjendje primitive në malësitë e thella, shoqëria shqiptare ishte në mesjetë pjesë integrale e zhvillimeve historike në rrafshin ballkanik e evropian, e hapur si rrallë ndonjë shoqëri tjetër e rajonit ndaj flukseve kulturore që vinin sa nga lindja bizantine, aq edhe nga perëndimi evropian, një shoqëri me një feudalizëm të strukturuar në institucione bazike, siç ishte ajo e pronës bizantine, apo e feudit latin. Jashtëzakonisht i ndjeshëm ndaj proceseve të shtetformimit, si moment kulmor zhvillimi e si tregues kryesor i emancipimit të një shoqërie, Prof. Buda iu përkushtua me energji të posaçme procesit të ngjizjes së shtetit mesjetar shqiptar, nga format e tij më rudimentale, në ato më të zhvilluara të shek. XIV-XV. Studimet e tij mbi Shtetin e Arbërit në shek. XII-XIII, mbi principatat feudale në shek. XIV e posaçërisht mbi shtetin e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut janë perla e produktit shkencor të realizuar nga ky historian erudit e patriot, ku dijet e pafundme, kompetenca shkencore, njohja sovrane e burimeve dhe intuita e jashtëzakonshme, e aftë për të depërtuar në skutat më të errëta të labirintit historik, të gjitha këto atribute bashkoheshin për të dhënë tek ai udhërrëfyesin e mjeshtrin e madh të historiografisë shqiptare.

Studimet, kumtimet, shkrimet e shumta dhe leksionet e Prof. Aleks Budës për Skënderbeun, të shkruara me akribi shkencore, me mjeshtëri e oratori që magjepste auditorët e universiteteve e sallat e akademive brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk e reduktonin figurën e Heroit në atë të një luftëtari të ashpër e të paepur. Skënderbeu i tij ishte edhe politikani vizionar, që shfrytëzoi koniunkturën e përshtatshme për të krijuar një shtet shqiptar, një mbretëri, që të kapte kufijtë që nga ato të Balshajve të Veriut, deri tek ato të Zenebishëve të Jugut. Skënderbeu i Aleks Budës ishte një diplomat i hollë, që shkëlqente në oborret e Napolit, Raguzës, të Romës papale me elegancën e italishtes së tij, me ligjërimin e tij plot referenca historike, me sigurinë dhe autoritetin e atij që vinte nga fronti i parë i luftës antiosmane dhe, kur e donte puna, edhe me ironinë therëse e gjuhën e prerë e të ashpër, që u detyrua shpesh të përdorte me dogjët e Venedikut, me mbretërit e Serbisë e, ndonjëherë, edhe me ndonjë papë të Romës.

U bënë plot 30 vjet, që Prof. Aleks Buda pushon në paqen e merituar. Mos qoftë e thënë që në këto vite t’i kenë mbërritur kumte nga bota e këtejme, ku shkenca dhe posaçërisht albanologjia ka përjetuar edhe ajo epokën e Kaosit të Madh. Do ndjehej i dërmuar, dhe siç e kishte zakon në raste dëshpërimi, do hiqte syzet, do mbështeste bërrylat mbi tryezën e punës e do tundte kokën e ulur në shenjë vaji e qortimi.

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • George: 08/07/2023 17:17

    Nje shkrim dinjitoz per themeluesin e Studimeve Albanologjike Shqiptare, Profesorin, Kryetarin dhe mbi te gjitha Njeriun e madh Aleks Buda. Faleminderit Pellumb Xhufi!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen

Këlliçi në SPAK, Valteri: I implikuar edhe me bursa në call center! Do japë llogari, ishte aq i shqetësuar sa aludoi edhe ndarjen