Janë cilësuar gjithmonë si simboli i paqes, por ditët e fundit në Shqipëri garat e pëllumbave janë kthyer në 'mollë sherri' mes Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH) dhe 'Shoqatës së Pëllumbave të Postës 2003'.

Shkak u bë një letër e drejtuesit të KOKSH, Fidel Yllit, drejtuar Doganave në vend, teksa në Qafë Thanë u bllokua kalimi i kamionit me mbi 3800 pëllumba të Shoqatës 'Pëllumbat e Paqes 2003' drejt Maqedonisë së Veriut, gjë që solli tensione dhe protesta për disa orë.

KOKSH pretendon se sipas ligjit të drejtën për të marrë pjesë në këto gara e ka Federata Shqiptare e Kolombofilëve, e njohur prej Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, KOKSH dhe gjykatës. Në një intervistë me gazetarin Ernest Koçi të Report TV, Fidel Ylli kërkoi që Shoqata e Pëllumbave të regjistrohet si pjesë e Federatës së Kolombofilëve.

Pas disa ditësh protesta dhe një gare të humbur (të premte në Kroaci), Shoqata e Pëllumbave të Postës 2003 mundi që të kalonte kamionin me pëllumba nga Qafë Thana dhe të merrte pjesë në garën e djeshme që nisi nga Beogradi.

Prej shumë vitesh Shoqata e Pëllumbave të Postës 2003 ka përfaqësuar vendin tonë në garat ndërkombëtare të organizuara nga Federata Ndërkombëtare e Kolombofilëve, e njohur prej tyre.

Në lidhje me kompetencat e përfaqësimit në gara, fillesat e tensionit, bllokimin në doganë dhe të ardhmen e kësaj çështje, në 'Sot Live në Shqipëri' në Report Tv me gazetarin Nertil Agalliu ishin të ftuar protagonistët e Shoqatës dhe Federatës. Këta të fundit, pra Federata e Kolombofilëve në Shqipëri kërkon që Shoqata të jetë pjesë e tyre duke u regjistruar dhe më pas mund të marrë pjesë në garat brenda dhe jashtë vendit.

Kujtim Beqja, kryetari i Shoqatës së 'Pëllumbave të Postës 2003' tha se kjo Shoqatë ka që në vitin 2003 që i organizon këto gara, duke qenë pjesë e Federatës Ndërkombëtare të Kolombofilëve (FCI). Ai e akuzoi si hileqar Sekretarin e Federatës.

"Ky sport në Shqipëri ka filluar në 2003, si fillim e kishim shoqatën 'Pëllumbat e Tiranës'. Në fundin e 2004, Lavdosh Hamzai na vjen dhe na thotë që kam krijuar Federatën e Kolombofilëve. Ai jetonte në Itali dhe i kishte thënë një mikut tonë se 'a mund të bashkëpunojmë?'. Ne e kemi bërë këtë sport në Tiranë. Ne jemi shoqatë jofitimprurëse.

Konflikti? Këta (Federata) duan që ne të shkojmë të jemi pjesë e Federatës. Ku ka Federatë pëllumbash në vendet e botës që është pjesë e KOKSH-it? Nuk ka. Ty si Federatë nuk të njeh Evropa. KOKSH nuk ka lidhje me pëllumbat.

Jeni të certifikuar jashtë vendit? Po, unë përfaqësoj Shqipërinë. Unë nuk dua të bashkëpunoj me Federatën. Në ligj unë varem nga AKU, të vaksinoj pëllumbat, dezinfektimi dhe të vijoj garën. Unë nuk dua të regjistrohem si pjesë e Federatës, këta janë të paaftë. Unë kam 170 lojtarë. Ti je hileqar, të kanë përjashtuar", tha mes të tjerash Beqja, që akuzoi Federatën si të paaftë për të organizuar gara.

Nga ana tjetër, Gazmir Feimi, Sekretari i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Kolombofilëve tha se ata janë të ligjshëm dhe të njohur ndërkombëtarisht nga FCI, duke akuzuar Shoqatën se janë të regjistruar në FCI në mënyrë jo të ligjshme. Gazmir Feimi e akuzoi Kujtim Beqjan se e ka kthyer Shoqatën në biznes.

"Federata Shqiptare nuk ka asnjë konflikt, është e ligjshme. Ne nuk duam debate. Ne duam të jemi të gjithë të ligjshëm në Republikën e Shqipërisë. Pasionatët e këtij sporti duam që të ecin përpara. Anëtarësimi është 30 mijë lekë të rinj në vit për çdo anëtar.

Këta të Shoqatës nuk i do njeri, ky e bën për biznes. E bën për para, mbaj përgjegjësi për këtë që them. Federata e Kolombofilëve të Shqipërisë është në FCI, Federatën Ndërkombëtare. FCI nuk regjistron Shoqata. Në vitin 2017 bëjnë një peticion dhe i mësova që të ndryshonin emrin e drejtuesit të Shoqatës, ata të FCI e dinë se këta të Shoqatës jemi ne, jemi Federata. Në Kongreset ndërkombëtare kemi shkuar të dyja palët. Zgjedhjet në FCI bëhen në 2028.

Përfitimet? Federata nuk përfiton asgjë. Shoqata e Korçës me 28 lojtarë u certifikua në Federatë. Ky i Shoqatës së Pëllumbave të Postës 2003 i merr gjithë Shqipërisë lekët. Unë them bëhu i ligjshëm dhe vazhdo.

Kemi 4 Shoqata që janë regjistruar në Fedeartë. I mbajnë vetë lekët, nuk ia merr Federata. Kemi 80 e ca lojtarë", tha mes të tjerash Gazmir Feimi.

Në fund të debatit sërish drejtuesit e Federatës dhe Shoqatës nuk pranuan të uleshin dhe të zgjidhnin këtë çështje që ka marrë përmasa institucionale.