Tregtimi i ilaçeve të rimbursueshme. Mund të bëhet nga një farmaci, vetëm pasi ajo të ketë një kontratë me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, FSDKSH. Kontratat janë pa afat.

Por për 362 farmaci, kjo marrëveshje, nuk do të jetë më në fuqi. FSDKSH, ka kërkuar zgjidhjen e kontratës, pasi ka gjetur se për të paktën 10 barna, janë përdorur fatura fiktive

Ky vendim i Fondit ka nxitur reagimin e Urdhrit të Farmacistëve, i cili e konsideron atë si një dënim masiv të pambështetur në prova.  Urdhri paralajmëron se masa të tilla, rrezikojnë seriozisht funksionimin e sistemit farmaceutik dhe furnizimin e pacientëve me barna të rimbursueshme.

Në deklaratën zyrtare theksohet se pretendimi për fatura fiktive është i pabazuar, pasi farmacitë furnizohen ekskluzivisht nga importuesë dhe shpërndarës të kontraktuar me vetë Fondin. Faturat, sipas tyre, gjenerohen dhe regjistrohen në sistemin elektronik e-depo, i cili nuk lejon lëshimin e faturës pa ekzistencën reale të mallit në depo.

“Farmacia nuk ka asnjë kompetencë dhe asnjë mundësi tekniko-ligjore për të verifikuar gjendjen fizike të barnave në depo. Kjo është përgjegjësi e Fondit dhe e strukturave të tij kontrolluese”,- thuhet në reagimin e Urdhrit të Farmacistëve.

Në reagim nënvizohet se kjo procedurë rrezikon furnizimin e pandërprerë të pacientëve me barna me rimbursim dhe krijon një precedent të rrezikshëm për marrëdhënien kontraktore Fond-Farmaci.

Sipas Urdhrit, pothuajse të gjitha farmacitë që kanë marrë këto shkresa janë kontrolluar më herët nga Drejtoritë Rajonale dhe nga vetë Fondi, me inventarizim fizik të barnave, pa u konstatuar shkeljet që sot pretendohen.