Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 8 masa sigurie për administratorin e një depoje farmaceutike dhe punonjës të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për veprat penale falsifikim dokumentesh dhe fshehje e të ardhurave. Ata akuzohen se kanë falsifikuar dokumente dhe inventarë fiktivë të barnave me vlerë mbi 700 mijë euro për të përfituar fonde rimbursimi nga FSDKSH.

Për dy prej tyre, është dhënë masa e sigurisë arrest në burg, administratorin e depos Frigul Milla, i cili është shpallur në kërkim, si dhe për drejtorin e FSDKSH në atë kohë, Spartak Zekja, masë e cila është ekzekutuar. Për tre punonjësit e Fondit, Romina Agalliu (detyrim paraqitje), Zade Mali (pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit dhe Esjana Gjishti (pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit). Për dy të tjerat, Alba Zylfo dhe Jona Berberi është dhënë masa detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit. Për Lorela Ballabani, administratore e njërit prej subjekteve, është dhënë masa detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit. 

Administratori i depos ka paraqitur të dhëna të rreme sikur ka blerë në këto dy subjekte të tjera medikamentet “Foster” dhe “Trimboë”. Këto medikamente “shiteshin” brenda sistemit edepo përmes faturave fiktive drejt farmacive të tjera, edhe pse produktet nuk ekzistonin fizikisht. Hetimet nisën pas kallëzimit të administratorit të një subjekti tjetër, importues ekskluziv farmaceutik i licensuar dhe kontraktuar me FSDKSH për rimbursimin e barnave. Ai kallëzoi se depoja dhe dy subjektet e tjera, në bashkëpunim me Fondin, kryenin veprime fiktive të shitjes dhe blerjes së barnave, duke përfituar fonde rimbursimi në shuma të konsiderueshme.

Dy subjektet (që përdoreshin nga depoja) kishin lidhur kontrata me FSDKSH, ku deklaronin shifra fiktive të gjendjes fillestare të inventarit, për të mundësuar shitjet fiktive më pas në farmaci. Njëri subjekt ka deklaruar 2,000 kuti “Foster” dhe 1,107 kuti “Trimbow”, me vlerë 10 milion lekë të reja, pa asnjë blerje reale. Subjekti tjetër ka deklaruar 4,000 kuti “Foster” dhe 11,500 kuti “Trimbow”, me vlerë 60 milion lekë, pa asnjë blerje.

Sipas Prokurorisë, miratimi i këtyre lëvizjeve fiktive dhe lidhja e kontratave nxjerr në pah përfshirjen e zyrtarëve të Fondit. Drejtori Spartak Zekja akuzohet për falsifikim dokumentesh pasi ka nënshkruar kontratën “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që Rimbursohen nga Shpërndarësi Farmaceutik”, ndërmjet Fondit dhe njërit prej subjekteve. Tre punonjësit akuzohen gjithashtu për moskontroll fizik të barnave të deklaruara në inventar. 
 

Arrest në burg:
Frigul Milla - Falsifikim dokumentesh dhe fshehje e të ardhurave 
Spartak Zekja - Falsifikim dokumentesh
Detyrim paraqitje dhe ndalim daljeje jashtë vendit 
Alba Zylfo - Falsifikimi i dokumentave dhe Fshehja e të ardhurave
Jona Berberi - Falsifikimi i dokumentave
Lorela Ballabani - Falsifikimi i dokumentave dhe Fshehja e të ardhurave
Detyrim paraqitje: 
Romina Agalliu - Falsifikimi i dokumentave
Pezullim nga detyra dhe ndalim daljeje jashtë vendit:
Zade Mali - Falsifikimi i dokumentave
Esjana Gjishti - Falsifikimi i dokumentave 

Lajm ne perditesim...