Pengesat për ndërtesën më të madhe europiane me printim 3D

Pengesat për ndërtesën më të madhe europiane me printim 3D

Vizualizimi i godinës me printim 3D në Heidelberg

Ndërtesa e një qendre të re të dhënash që po ndërtohet në Hajdelberg të Gjermanisë, është struktura më e madhe europiane ndërtuar me printim tridimensional. Teknologjia është premtuese, por sfidat mbeten të mëdha.

Zakonisht qendrat e të dhënave nuk njihen për ndonjë arkitekturë ekstravagante. Por një ndërtesë që është duke marrë formë në Hajdelberg të Gjermanisë, do të bjerë me siguri në sy. Fasada ngjan me një perde me rrudha që kalon përgjatë gjithë strukturës së ndërtesës. "Me këtë formë ne donim të arrinim limitet e së mundshmes,” thotë Hans-Jörg Kraus, partner drejtues i grupit Kraus, zhvilluesit të projektit. Kreativiteti i arkitektëve ka qenë më i madh se zakonisht, falë teknikës speciale të krijimit të konstruksioneve me printim tridimensional, 3D.

Printim tridimensional do të thotë se një sprucues që kontrollohet nga kompjuteri vendos njëra pas tjetrës shtresat e përzierjes së caktuar të betonit, duke krijuar kështu muret e ndërtesës. Kurse elementët horizontalë, si përshembull tavanet, ndërtohen ende me metodat tradicionale. Kur të përfundojë qendra e të dhënave me një kat do të jetë 54 metra e gjatë, 11 metra e gjerë dhe nëntë metra e lartë. Sipas grupit Kraus, ndërtesa që pritet të përfundojë në muajin korrik, do të jetë ndërtesa më e madhe në Europë, ndërtuar me printim tridimensional.

Printimi 3D kursen punën, kohën dhe mbetjet

Përveç formës ekstravagante me harqe, në ndërtesën e konstruktuar në Hajdelberg mund të shihen edhe disa nga avantazhet e printimit 3D. Pjesën më të madhe të kohës, në vendin e punës ndodhen vetëm dy punëtorë që operojnë me printerin. Ndryshe nga betoni që hidhet në mënyrë konvencionale, betoni që hidhet me printim e ruan formën, duke i bërë të panevojshme format e derdhjes.

Eliminimi i formave të derdhjes redukton kohën për krijimin dhe prishjen e tyre, duke dhënë kështu një "avantazh gjigand” për printimin 3D, i tha Deutsche Welles një nga arkitektët e ndërtesës, Jan van der Velden-Volkmann.

Sipas PERI 3D Construction, një kompanie përfshirë në projekt, duhen vetëm 140 orë kohë për printimin e elementëve vertikalë të ndërtesës. Sidoqoftë, printimi duhet bërë me pushime për shkak të proceseve të tjera më të imëta, kështu që dora përfundimtare e printimit mund të jepet mbas katër muajsh pune.

Pengesat vazhdojnë por teknologjia 3D po përdoret gjithnjë e më shumë

Megjithëse teknologjia është zhvilluar që prej dy dekadash, ndërtesat me printim 3D janë të rralla. Sipas COBOD, një prodhues me teknologji me printim 3D, deri në vitin 2022 në të gjithë botën janë ndërtuar 130 ndërtesa me sipërfaqe më të madhe se dhjetë metra katrorë me printim 3D, nga të cilat 55 janë ndërtuar vetëm vitin e kaluar.

Një arsye për përdorimin e ngadaltë të teknologjisë është mungesa e standardeve për të kontrolluar stabilitetin e strukturave të printuara, thotë Arnaud Perrot, një profesor i inxhinierisë së ndërtimit në Universitetin Southern Brittany të Francës. Pa këto standarde është shumë e vështirë të demonstrosh për autoritetet se ndërtesat e printuara janë të sigurta, i tha ai Deutsche Welles.

Por edhe nëse standardet krijohen, printimi 3D has me sfida sidomos kur bëhet fjalë për ngritjen e ndërtesave të larta.

Strukturat e larta me beton zakonisht kërkojnë të forcohen me hekur për të përballuar forcat me të cilat hasen. Kjo është e vështirë për strukturat me printim 3D, thotë Manu Santhanam, një profesor në departamentin e inxhinierisë së ndërtimit në Institutin indian të teknologjisë, Madras në Chennai. Kështu që "printimi 3D nuk është opsion” për ndërtesat me më shumë se dy ose tre kate, i tha Santhanam Deutsche Welles.

Perrot është më optimist, sidomos kur flitet për afat të gjatë. "Nga perspektiva teknike, nuk ka asgjë që të pengojë printimin e ndërtesave me shumë kate,” thotë ai. Tani për tani, ai mendon se kombinimi i printimit 3D me teknikat koncencionale të ndërtimit është rruga më e lehtë për të ndërtuar ndërtesa të larta. Kjo gjë ka ndodhur në Hajdelberg, ku për të përmirësuar stabilitetin e ndërtesës muret bosh, të krijuara me printim janë mbushur me beton të forcuar me hekur të hedhur me metoda konvencionale.

Ku pra janë avantazhet më të mëdha për printimin 3D? Sa i përket Indisë, Santhanam mendon se potencialin më të madh printimi 3D e ka jashtë zonave urbane, aty ku nevoja për të ngritur ndërtesa të larta është më e vogël, sidomos në komunitetet shumë të mëdha që zhvillohen në zonat rurale. "Nëse printoni një radhë shtëpish, le të themi prej 20 ose 30 shtëpish, atëherë printimi 3D është teknologjia më e mirë sepse me të ekziston mundësia e përshtatjes individuale të çdo shtëpie,” thotë Santhanam. Sipas Perrot-it dhe van der Velden- Volkmann, printimi 3D mund të përdoret edhe për parafabrikimin në fabrika të elementëve përbërës të ndërtesave. 

Betoni prodhohet duke emetuar shumë dioksid karboni

Sidoqoftë teknologjia mbështetet tek betoni, i cili është me probleme për shkak të ndikimit ndaj mjedisit. Betoni përmban si lidhës çimenton, prodhimi i së cilës është përgjegjës për prodhimin e 7 përqind të emisioneve të dioksidit të karbonit të krijuar në botë në vitin 2022, thotë Robbie Andrew nga Universiteti i Oslos.

Studiuesit janë përpjekur të printojnë me lëndë të tjera alternative që prodhojnë më pak dioksid karbonit, si përshembull me argjilë. Por sipas Santhanamit, cilësitë e veçanta të betonit, si forca dhe qëndrueshmëria bëjnë që ai "sigurisht të dominojë” printimin 3D në ndërtim. Për qendrën e të dhënave që është duke u ndërtuar në Hajdelberg, për printimin 3D është përdorur një beton special prodhuar nga Heidelberg Materials. Sipas kompanisë, betoni i tyre ka një lidhës që prodhon 55 përqind më pak dioksid karboni se sa çimentoja koncenvionale./DW

M.T/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'