ALGJERI - Forcat speciale algjeriane i dhanë fund operacioneve luftarake për lirimin e njerëzve, që mbaheshin peng në një platformë gazi në juglindje të Algjerisë.

BBC ka cituar agjencinë e lajmeve algjeriane APS, duke thënë se 11 pengmarrës dhe të paktën shtatë prej pengjeve u vranë në operacionin e fundit të ushtrisë algjeriane. Kombësia e pengjeve të vrarë ende nuk është bërë e ditur.

Ditën e mërkurë një grup i lidhur me Al Kaedan mori peng dhjetëra shtetas të huaj, duke përfshirë amerikanë, britanikë, francez, japonez, të gjithë punonjës.

Ekstremistët thanë se sulmuan impiantin e gazit natyror në hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake franceze kundër kryengritësve në shtetin fqinj në Mali dhe u zotuan se do të ndërmarrin sulme të tjera kundër objektivave perëndimore.

Në mëngjesin e së shtunës Agjencia e lajmeve algjeriane APS tha se 573 algjerianë dhe rreth 100 punonjës të huaj u liruan në uzinën e gazit në In Amenas dhe për 32 shtetasit e huaj përfshirë 10 britanikë ende nuk dihet fati i tyre.

Departamenti Amerikan i Shtetit ka konfirmuar se një peng amerikan ka vdekur gjatë këtij operacioni, por nuk dha detaje të tjera të rrethanave. Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, tha se gjendja në Algjeri është “tejet e vështirë dhe e rrezikshme”. Për të tretën ditë radhazi ajo ka folur me kryeministrin e Algjerisë, “që të tregohet sa më shumë kujdes për mbrojtjen e pengjeve.

Zonja Klinton ështe takuar edhe me ministrin e jashtëm japonez Fumio Kishida në Washington për një diskutim mbi krizën e pengjeve në Algjeri, të cilët kanë dënuar sulmin si akt barbar.

Ekstremistët thonë se sulmuan impiantin e gazit natyror në hakmarrje për ndërhyrjen ushtarake franceze kundër kryengritësve në shtetin fqinj në Mali. Pengmarrësit janë zotuar se do të ndërmarrin sulme të tjera kundër objektivave perëndimore.

(ad.ti/l.ç/shqiptarja.com)