Polonia po përpiqet të menaxhojë pasojat politike dhe ushtarake të një vendimi të papritur nga Pentagoni, i cili anuloi dërgimin e planifikuar të 4 mijë trupave amerikane në territorin polak, një lëvizje që ka ngritur pikëpyetje serioze për të ardhmen e pranisë ushtarake amerikane në Europën Lindore.

Vendimi ishte komplet surprizë për Varshavën, siç raporton Politico. Sipas mediave amerikane dhe europiane të cituara prej saj, sekretari amerikan i Mbrojtjes Pete Hegseth anuloi dislokimin e Brigadës së Dytë të Blinduar të Divizionit të Parë të Kalorësisë, edhe pse njësia kishte nisur përgatitjet për t’u vendosur në Europë. Autoritetet amerikane insistojnë se nuk bëhet fjalë për një vendim të minutës së fundit, por në Poloni reagimet tregojnë qartë sipas Politico-s, se qeveria nuk ishte informuar paraprakisht.

Për një vend që e konsideron praninë ushtarake amerikane si garanci kryesore kundër Rusisë, lajmi shkaktoi shqetësim të menjëhershëm. Ministri polak i Mbrojtjes, Władysław Kosiniak-Kamysz, doli publikisht për të qetësuar situatën duke deklaruar se aleanca me SHBA mbetet “e fortë dhe afatgjatë”.

“Polonia vazhdon të jetë aleati më i qëndrueshëm i Amerikës në Europë”, deklaroi ai, ndërsa theksoi se qeveria është në kontakt të vazhdueshëm me Uashingtonin.

Edhe zv.ministri i Mbrojtjes Paweł Zalewski tha se amerikanët kanë garantuar se nuk planifikojnë ulje sistematike të pranisë ushtarake në Poloni. Megjithatë, pas dyerve të mbyllura, shqetësimi në Varshavë është i madh.

Vendimi vjen në një moment kur Donald Trump ka shtuar presionin ndaj aleatëve europianë, duke i akuzuar se nuk po kontribuojnë mjaftueshëm në konfliktin me Iranin. Ironikisht, Polonia është një nga vendet që shpenzon më shumë për mbrojtjen në NATO, me gati 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto të dedikuar për ushtrinë. Vetë Hegseth e kishte cilësuar më parë Poloninë si “aleat model”.

Në sfond qëndron edhe tensioni më i madh mes Amerikës dhe Europës për të ardhmen e sigurisë në kontinent. Pentagoni ka konfirmuar këtë muaj tërheqjen e 5 mijë trupave amerikane nga bazat në Gjermani, pas përplasjes së Trump me kancelarin Friedrich Merz për luftën në Iran. Presidenti amerikan paralajmëroi më pas se reduktimet mund të jenë edhe më të thella.

Polonia, së bashku me Rumaninë dhe shtetet baltike, shpresonte që një pjesë e trupave të larguara nga Gjermania të transferoheshin në Europën Lindore. Madje Trump deklaroi javën e kaluar se “mund” të zhvendoste trupa amerikane në Poloni, duke përmendur marrëdhënien e mirë me presidentin polak Karol Nawrocki. Por vendimi i fundit i Pentagonit duket se ka krijuar konfuzion të plotë.

Pasiguria është shtuar edhe më shumë nga deklaratat e fundit të Trump, i cili ka vënë në pikëpyetje angazhimin amerikan ndaj Nenit 5 të NATO-s — klauzolës së mbrojtjes kolektive — dhe madje ka kërcënuar me aneksimin e Groenlandës, territor i Danimarkës, një vend anëtar i aleancës.

Ekspertët paralajmërojnë se vendime të tilla po dëmtojnë besimin e aleatëve europianë ndaj SHBA. Oana Lungescu, ish-zëdhënëse e NATO-s, deklaroi se “vendimet e çrregullta dhe të pakoordinuara të administratës Trump” rrezikojnë të inkurajojnë Vladimir Putinin.

“Nuk ka kuptim që SHBA të ndëshkojë Poloninë, një vend që është shembull për investimet në mbrojtje dhe mbështet kryesisht politikat amerikane”, tha ajo.

Aktualisht, rreth 500 trupa amerikane janë të vendosura në mënyrë të përhershme në Poloni, ndërsa deri në 10 mijë ushtarë amerikanë kalojnë në mënyrë rotative në territorin polak. Për shumicën e polakëve, prania ushtarake amerikane konsiderohet jetike për sigurinë kombëtare dhe mbështetet gjerësisht nga opinioni publik.

Pikërisht për këtë arsye, anulimi i papritur i dislokimit ka shkaktuar tronditje në Varshavë. Edhe opozita nacionaliste reagoi ashpër. Krzysztof Bosak, lider i partisë së ekstremit të djathtë Konfederata, foli për “kaos të brendshëm dhe humbje besueshmërie nga aleati më i rëndësishëm i Polonisë”.

Megjithatë, qeveria polake vazhdon të insistojë publikisht se nuk ka krizë.

“Dua të siguroj të gjithë ata që janë të shqetësuar. Numri i trupave amerikane në Poloni nuk po zvogëlohet. Ne po punojmë për ta rritur si praninë, ashtu edhe kapacitetin operacional të forcave amerikane në vend”, deklaroi ministri i Mbrojtjes./Politico