Nëse është e vërtetë, dhe për momentin duket se është pikërisht kështu, që administrata Trump dëshiron të bëjë publike periodikisht dosjet mbi UFO-t, ose UAP sipas emërtimit që sot preferohet në SHBA (shkurtesa ka një përkthim të dyfishtë: “Fenomenet Ajrore të Paidentifikuara” ose, varianti më i përdorur kohët e fundit, “Fenomenet Anomale të Paidentifikuara”), atëherë duhet të përgatitemi që në muajt e ardhshëm të dëgjojmë mjaft njoftime. Ndërkohë, këto orë ka mbërritur “vala” e dytë e publikimeve pas asaj të dy javëve më parë, e cila solli për publikun 162 dokumente, më pas të rillogaritura në 158 sepse kishte dokumente të përsëritura.
Mes dosjeve të serisë së re, të publikuara të premten më 22 maj, ndodhet një video e regjistruar nga një sensor me rreze infra të kuqe i përdorur nga Roja Bregdetare e Shteteve të Bashkuara. Ajo daton në prill 2024 dhe tregon një objekt fluturues pranë një avioni mbi juglindjen e SHBA-ve. Një video tjetër, e titulluar “Përshpejtim i menjëhershëm i një UAP sirian”, është regjistruar nga një sensor infra të kuq në bordin e një platforme ushtarake amerikane në vitin 2021 dhe është ngarkuar në një rrjet të klasifikuar në vitin 2024, sipas asaj që ka deklaruar Pentagoni, i riemërtuar sot si Departamenti i Luftës.
Pas hetimeve të shumta, Zyra për Zgjidhjen e Anomalive në të Gjitha Fushat (AARO, sipas akronimit: zyra që raporton te sekretari i Mbrojtjes dhe ka për detyrë të japë përgjigje për rastet e vrojtimeve të çuditshme ose fenomeneve të tjera ajrore të pazakonta) nuk ka gjetur asnjë provë që ndonjë prej këtyre incidenteve të ketë natyrë jashtëtokësore. Megjithatë, zyrtarët ushtarakë pranojnë se shumë raste mbeten “të pazgjidhura” dhe të pashpjegueshme.
Me këtë seri të re, Pentagoni ka publikuar mbi 200 dosje që lidhen me UAP-të. Një tjetër dokument i publikuar së fundmi, një video e vitit 2020 e filmuar në një zonë të paspecifikuar nën komandën e Komandës Qendrore të SHBA-ve, duket se tregon një sferë që fluturon mbi një qendër të banuar përpara se të ngrihet më lart në qiell. Mes dosjeve përfshihet edhe një raport i shkruar vitin e kaluar nga një oficer i lartë i inteligjencës amerikane, i cili përshkruan se kishte parë “dy sfera të mëdha ndriçuese” pranë helikopterit të tij gjatë një misioni. Oficeri shkroi se ato ishin “portokalli me një pjesë qendrore të bardhë dhe të verdhë dhe lëshonin dritë në të gjitha drejtimet”. Si rezultat, u ngritën menjëherë avionë luftarakë në një situatë ngritjeje të shpejtë në gjendje alarmi të cilët bënë gjithçka për të arritur dhe identifikuar objektet. Gjithçka rezultoi e kotë, tregoi oficeri. Kjo ishte dëshmia e tij: “Të njëjtat sfera që kishim hasur tani po ‘ndiqnin’ avionët luftarakë... Mbetëm praktikisht pa fjalë pas këtyre vëzhgimeve.”
Dy javë më parë, Pentagoni kishte publikuar, siç u tha, një grup të parë dokumentesh nga agjenci të ndryshme federale. Disa prej tyre datonin madje nga fundi i viteve ’40; kishte gjithashtu imazhe të vrojtimeve nga disa astronautë të programit Apollo dhe edhe një raportim për një qenie rreth 120 centimetra të gjatë. Këto dokumente janë publikuar në një faqe të re interneti që ka marrë tashmë më shumë se një miliard shikime në mbarë botën, çka konfirmon interesin gjithnjë e më të madh që ngjall kjo temë.
“Në përpjekje për të arritur transparencën maksimale dhe të plotë, kam pasur nderin të ngarkoj administratën time të identifikojë dhe të publikojë dokumente qeveritare që lidhen me jetën aliene dhe jashtëtokësore, fenomenet ajrore të paidentifikuara dhe objektet fluturuese të paidentifikuara”, deklaroi Trump në fillim të vitit 2026 në një postim në platformën e tij sociale. “Ndërsa administratat e mëparshme nuk arritën të ishin të qarta për këtë çështje, me këto dokumente dhe video të reja njerëzit mund të vendosin vetë. Me pak fjalë, mund të pyesni veten: ‘Çfarë dreqin po ndodh?’ Argëtohuni dhe shijojini!”
Pentagoni njoftoi të premten se po punon për një publikim të tretë të dosjeve UAP “në të ardhmen e afërt”.
Në realitet, kundërshtimi i shumë vetave është se këto dokumente ndryshojnë pak ose aspak nga ajo që dihej tashmë. Për shembull, sipas Tim Burchett dhe Eric Burlison, dy deputetët republikanë më aktivë për çështjen UFO, jemi vetëm në fillimin e çeljes dhe më e mira ende nuk ka ardhur. Por ekziston një dyshim: po sikur materiali “i vërtetë” dhe përfundimtar të jetë fshehur diku? Burchett dhe Burlison, ndër të tjera, pretendojnë se kanë marrë pjesë në briefingje të klasifikuara që i kanë lënë të habitur. Po mirë, a do t’i shohim ndonjëherë këto dosje? Kjo është pyetja e pyetjeve, sepse sipas David Grusch, ish-zyrtarit të inteligjencës që në vitin 2023 deklaroi në Kongres (nën betim) se SHBA ka rikuperuar pjesë mjetesh fluturuese me teknologji jo tokësore dhe madje mbetje biologjike, e gjithë kjo dokumentacion është transferuar te kompani jashtë qeverisë për programe sekrete të inxhinierisë së kundërt.
Agjencitë federale mund të mohojnë fare mirë se zotërojnë “provën përfundimtare” të ekzistencës aliene, sepse dosjet vendimtare ndodhen në duart e subjekteve private që nuk kanë asnjë interes t’i publikojnë dhe ndaj të cilave nuk zbatohen ligje transparence si FOIA (Freedom of Information Act). Pse do ta bënin këtë, nëse bëhet fjalë vërtet për zbulime revolucionare dhe nëse do të kishim të bënim, për shembull, me sisteme të reja energjie dhe aplikime ushtarake me vlerë të jashtëzakonshme që mund të ripërcaktonin ekuilibrat strategjikë botërorë?
Pra, rreziku është që pas gjithë kësaj faze publikimesh, çështja UFO/Alienë të rezervojë më shumë pika të errëta sesa qartësinë e shpresuar./Corriere della Sera
Komente







Po kujt i plasi ka apo ska ufo, kete se kuptoj.
Përgjigju