PEQIN- Një magazinë e përshtatur për kultivim kanabisi me anë të llambave është zbuluar në Peqin. Siç shihet edhe në video, në ambientet e magazinës policia ka gjetur të gjitha pajisjet e nevojshme për prodhimin dhe kultivimin e kanabisit. Pajisjet furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.

Në pranga ka rënë pronari i magazinës Graciano Kosta, 37 vjeç, banues në Peqin. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale "Kultivimi i bimëve narkotike", "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve" dhe "Vjedhja e energjisë elektrike ose e impulseve telefonike".

Po ashtu është arrestuar edhe drejtori i OSHEE në Peqin, për veprat penale "Shpërdorimi i detyrës" dhe "Moskallëzimi i krimit".

Në hetim në gjendje të lirë janë vendosur elektricist i OSHEE, M.P., 60 vjeç, dhe faturisti A.K., 33 vjeç. Ndaj tyre rëndon akuza për veprën penale  “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.