Për “Antikomunistët” tanë zyrtarë!

Për “Antikomunistët” tanë zyrtarë!

Nuk është mëkat që kundërshtarët e skajshëm politikë të rrihen me njëri tjetrin kur përballen. Ndodh gjithandej në botë, mes grupeve ekstreme. Edhe pse të gjithë ata që janë gëzuar nga kjo rrahje dhe ata që janë indinjuar kapen tek akti i dhunës, mendoj që ky akt është gjëja më pak e rëndë në atë histori për PD.

Gjëja më e rëndë në atë histori është hipokrizia. Një grup partiakësh besnikë të Lulzim Bashës, që nuk janë as komunistë, as antikomunistë, as të majtë, as të djathtë, as adhurues partizanësh, as adhurues ballistësh, as kundër 5 Majit as kundër 29 Nëntorit, por thjeshtë një grup batakçinjsh tenderash, kanë rrahur disa pleq enveristë, jo se janë enveristë, por se u është dukur se janë të vetmit që mund të mundin në këtë botë, qoftë dhe fizikisht.

Ngjarja ka ndodhur në vendin e gabuar, dhe këtu kam parasysh faktin, se antikomunistët ekstremë, nga ata të rracës antikomuniste, siç u kishte hije të ishin ata legena që rrahën pleqtë enveristë, nuk janë të tillë që shkojnë për 5 Maj në Varrezat e Dëshmorëve. Ata që ishin aty nga PD, ishin nga rraca e Lulzim Bashës që vjehrrin e ka enverist, xhaxhain e tij shok të atyre veteranëve, prindërit njerëz të nomeklaturës komuniste. Ndryshe nuk kishte pse takoheshin atje. Antikomunistët ekstremë me enveristët është qesharake të takohen tek Varrezat e Dëshmorëve. Varrezat e Dëshmorëve nuk janë vende për grupe ekstremistësh, por për nderime zyrtare. Fakti që “Antikomunistët tanë zyrtarë” u përballën atje, tregon se janë “Antikomunistët zyrtarë” të emëruar nga Luli.

Ata po ashtu janë përballur me njerëzit e gabuar. Antikomunistët shqiptarë i kanë tridhjetë vjet para syve persekutorët e tyre, i kanë në rrugë, në shtëpi, i kanë në partinë e tyre, apo në zyrat e shtetit, edhe pse tani janë shumica në pension. Por nuk mbaj mend ndonjë akt ekstrem dhune ndaj Arianit Çelës apo ndonjë ish- byroisti që ka pirë kafe në Bllok me qetësi deri para pak vitesh. Biles Fariun e kanë në krye të vendit, që ka qenë mik shtëpie me Hekuran Isain dhe gjithë ingranazhin e Ministrisë së Brendshme dhe Sigurimit të Shtetit.

Ata pleqtë enveristë tek varrezat janë ana teatrale e diktaturës, bile janë dhe komunistë që blihen e shiten si gjithë demokratët e socialistët në këtë vend. Janë anëtarë të partisë së Hysni Milloshit që kundrejt 100 mijë eurove të LSI, votuan për Lulzim Bashën në vitin 2011.

Prandaj janë ndeshur me njerëzit e gabuar.

Por mbi të gjitha janë ndeshur dhe në kohën e gabuar. 5 Maji është një festë që përkujton dëshmorët që kanë rënë për Shqipërinë dhe ka zanafillën tek dëshmorët e Luftës së Dytë Botërore, simbol i të cilëve është Qemal Stafa, një komunist idealist, që nëse nuk do ta kishin vrarë italianët, do ta pushkatonte me siguri diktatura komuniste.

E kuptoj se ekziston një pakicë e bindur e antikomunistëve kundër Luftës, dhe kjo lidhet në shumicën e rasteve me faktin se të parët e tyre dolën të humbur nga ajo luftë. Por për këtë, inati nuk nxirret më 5 maj, tek ata që u vranë për lirinë, pa asnjë përgjegjësi për diktaturën. Ka shumë, biles shumë fare, nga ata që dolën fitimtarë nga lufta dhe të humbur nga diktatura. Kam frikë se janë më shumë se kjo pakica që ka dalë e humbur në Nëntor 1944. Dhe kjo e bën pa kuptim dhe inatin me enveristët si simbol i 5 Majit, se Enveri nuk është dëshmor lufte, përkundrazi, ai ka vrarë më shumë se sa ka vrarë lufta.

Por ata që rrahën veteranët enveristë, nuk ishin as nga kjo rracë. Ata ishin thjeshtë disa frikacakë të Lulzim Bashës, nga ata që i përshëndesin persekutorët dhe i përulen kur i takojnë në Bllok, që bëjnë pazare me nipat e tyre dhe i quajnë shokë të mirë, por meqë janë me Lulin dhe meqë nuk mundin dot Edi Ramën dhe ata që janë në pushtet, shpikin si kundërshtarë ca pleq veteranë, bëjnë sikur i rrahin dhe pastaj bërtasin “Fitore”. Fiks si Luli.

//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës

Perëndimi: Vendimet e Parlamentit të Republikës Sërpska kërcënojnë rendin kushtetues të Bosnjës