Një kastë pedagogësh nga universitete të ndryshme të vendit, janë mbledhur dhe kërkojnë, por dhe kërcënojnë me greva dhe protesta, në rast se Edi Rama nuk u rrit pagat. Asgjë të keqe nuk ka të kërkosh nga qeveria rritje page, kushte të mira pune dhe jetese, asgjë të keqe nuk ka, ti kërkosh qeverisë para më shumë për kërkime shkencore, laboratorë, pajisje dhe logjistikë moderne universitare.

Por e keqja qëndron në faktin se, e meritojnë vërtetë plotësimin e kërkesave një pjesë e këtyre pedagogëve, e meritojnë vërtetë plotësimin e kërkesave një pjesë e atyre që kanë blerë doktoraturat, që kanë mbaruar me mesataren 6 apo 7, duke e blerë vendin e punës, e meritojnë vërtetë plotësimin e kërkesave, kur një pjesë e tyre akuzohen nga studentët si të korruptuar apo dhe afera të tjera më banale ? Eshtë fakt se, universitetet tona publike, kanë nevojë urgjente për reformim rradikal. Kanë nevojë për Vetting, pasi duhet të  verifikohen një nga një, ata që fatalisht sot janë pedagogë apo dhe dekanë, dhe që nxjerrin nga auditoret “gdhë” dhe jo studentë të pergatitur. Eshtë fakt se, një pjesë e tyre, me eksperiencë të gjatë në mësimdhënie, kanë studiuar, kërkuar, botuar dhe kontribuar në procesin e vështirë të normalizimit të jetës universitare.

Ka prej tyre që janë doktoruar në Tiranë, Paris, Romë, Berlin, etj, ashtu siç ka prej tyre që doktoraturat si kriter bazë për tu punësuar në universitet, e kanë blerë në Strugë, Tetovë, Sofie, Shkup, apo Plovdiv, në rrugë të dyshimta.  Sot në universitet publike, ne kemi ajkën e profesoratit, që nuk proteston por punon, që nuk kërkon “rritje page”, por merren me kërkime shkencore individualisht dhe nuk qahen se “nuk kemi para nga qeveria”. Ashtu siç kemi një pjesë dërrmuese, që kanë dosje penale në organet e drejtësisë, që janë kapur me para studentësh, janë arrestuar në flagrancë, janë telendisur para profesoratit, dhe sot janë rikthyer sikur të mos u kishte ndodhur gjë fare.

Figura e pedagogut, duhet të jetë fytyra e universitetit. Nuk duhet të harrojmë se, rekrutimi i pedagogëve në universitetet tona publike (apo dhe private) ka qenë një zinxhir i gjatë korrupsioni. Deri në 30 mijë euro ka vajtur punësimi si pedagog në universitete tona publike deri para disa vitesh. Dhe kuptohet, si mund të jetë një pedagog që ble vendin e punës, se si mund të jetë ai i  aftë për të shpjeguar dhe menaxhuar auditoret dhe vlerësimin e studentëve. Në prokuroritë e rretheve ku ka universitete publike, do të gjesh qindra dosje penale për pedagogët e akuzuar për korrupsion apo abuzim me studentet. Si mund ti besosh një pedagogu, që është arrestuar për rryshfet, për ngacmime seksuale ndaj studenteve, që është hetuar e gjykuar, dhe rikthyer sërish në detyrë ?  Dhe ka prej tyre që dalin me flamuj në protesta ndaj qeverisë dhe kryeministrit Rama. Një kuti me biskota  mbushur me lekë studentësh, ju gjet nga policia e Elbasani pak vite më parë një ish-pedagogu (sot në pension) i cili kishte vite që nuk ndalej në babëzinë e tij.

Me para studentësh bleu apartament në Tiranë, Golem, dhe shkolloi fëmijët jashtë vendit. Kutia e biskotave e mbushur me para, u bë temë diskutimi  dhe legjendë në rrethet studentore, të cilët pas hetimeve deklaronin se “150 euro e lart pranonte profesori, ndryshe nuk merrje provimin”. Dhe kutia mbushej e mbushej çdo sezon provimesh, duke zbrazur xhepat e studentëve, duke i vlerësuar ata me nota të pamerituara, dhe duke nxjerrë në jetë “gdhë” dhe  jo kuadro të pergatitur të së ardhmes.

Ndaj, protesta e tyre për “rritje page, kushte më të mira pune dhe jetese” mbetet farsë, mbetet me prapavijë politike të pastër. I habitshëm është fakti se, në protestë nuk shikon asnjë Profesor, Doktor, apo Kërkues Shkencor, pasi ata janë të impenjuar me punën, misionin e tyre, duke mos rënë në kurthin e politikës.  Dhe pikërisht kjo kastë elitare, meriton rritje të vërtetë page dhe vlerësim maksimal nga qeveria, pjesa tjetër  ti bashkohet liderit shpirtëror, (njeriut që i shkatërroi universitetet) dhe të presë kur ai të “rikthehet në pushtet”, për t’ju plotësuar kushtet e vëna.