Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se nuk po ndëshkohen vetëm pronarët e vegjël të subjekteve apo godinave pa leje, por edhe shkelësit e mëdhenj.

Në kuadër të aksionit për lirimin e hapësirave publike dhe shembjes së ndërtimeve pa leje, kreu i qeverisë ndau sot në Facebook pamje nga operacioni i IKMTVlorë për shembjen e ndërtimeve pa leje, ku e shoqëron edhe me një sqarim “për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkoheshin shkelësit e mëdhenj”.

Ai sqaron se ngrenina në pamje nuk ishte as e para dhe nuk do jetë as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri, teksa procese sekuestrimi e shembjesh po bëhen jo vetëm në Vlorë, por gjithandej.

Ai paralajmëron se pakoja e re e masave prek jo vetëm ata që bëjnë shkeljet, por edhe ata që “mbyllin sytë përpara shkelësve”.

Postimi i plotë i kryeministrit Edi Rama:

“Kjo video është për ata që kanë merakun e gabuar se s’po ndëshkohen shkelësit e mëdhenj, si edhe për të ritheksuar faktin që kjo ngrehinë këtu nuk është as e pari e as e fundit që rrafshohet për paligjshmëri, ndërkohë që të tjera procese sekuestrimesh po bëhen në Vlorë e jo vetëm, për shkelje brutale të lejeve të ndërtimit.

Njëkohësisht pakoja e re e masave që do të miratojmë së shpejti do të jetë një mesazh i qartë për të gjithë, ata që shkelin ligjin duke lënduar mjedisin e përbashkët po edhe ata që mbyllin sytë përpara shkelësve”.