ITALI- Gjykata e Romës ka vendosur një dëmshpërblim prej 700 eurosh për një emigrant i cili qëndroi 1 muaj në kampin e Gjadrit, pas marrëveshjes Itali-Shqipëri për emigrantët e paligjshëm. Vendimi i datës 10 shkurt, i firmosur nga gjyqtari Corrado Bile i Gjykatës së Romës, është i pari që dënon Ministrinë e Brendshme për transferimin e emigrantëve nga një CPR italian, qendër për mbajtjen e emigrantëve, drejt kampit në Shqipëri. Ai përbën një precedent dhe pritet të hapë një front të ri përplasjeje me qeverinë italiane, në mes të fushatës për referendumin mbi drejtësinë.
Sipas gjyqtarëve të Gjykatës së Romës, transferimi i emigrantit në Shqipëri ka “ndikuar drejtpërdrejt në të drejtat themelore të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare dhe nga Kushtetuta”.
Ja faktet. Më 10 prill të vitit të kaluar, emigranti në fjalë, një 50-vjeçar algjerian, i mbajtur në atë kohë në CPR-në e Gradisca d’Isonzo, transferohet papritur drejt Gjadrit. Atij i komunikohet se destinacioni i tij është CPR-ja e Brindisit, por në fakt (me duart e lidhura me pranga plastike gjatë gjithë udhëtimit) dërgohet në Shqipëri. Këtë gjë ia bëjnë të ditur vetëm 48 orë pas mbërritjes së tij.
Emigranti, i cili jeton në Itali prej 19 vitesh, ka një partnere me shtetësi italiane dhe dy fëmijë të mitur. Përveç të tjerash, ai e kishte të pamundur të takonte familjen e tij që jeton në veri të Italisë. Si shumë të tjerë, në Gjadër ai paraqet një kërkesë për azil. Avokati i tij, Gennaro Santoro, paraqet ankim dhe më 9 maj gjyqtarët, siç parashikon ligji gjatë periudhës së shqyrtimit të kërkesës për azil, urdhërojnë lirimin e tij.
Prej këtej lindi edhe kërkesa për dëmshpërblim për dëmin jopasuror të pësuar, tashmë për herë të parë e njohur nga Gjykata e Romës./La Repubblica
Komente






