KAVAJE - Me ftesë të kreut të bashkisë së Kavajës Elvis Rroshi, gratë kavajase për herë të parë janë nderuar në një iftar të tyre. Nisma e ndërmarrë nga bashkia ka mbledhur në medresenë e këtij qyteti me dhjetëra gra e vajza të cilat agjërojnë në muajin e Ramazanit.
Ashtu si çdo pjesë tjetër e shoqërisë është e nderuar përgjatë gjithë këtij muaji duke ftuar personalitete të ndryshme të politikës, kulturës, artit e shumë fusha të tjera, duket se ka qenë një zgjidhje krejt e ndryshme dhe krejt origjinale kjo e kryebashkiakut të Kavajës.
“Eshtë ndër të parat herë që për qytetin tonë ndërmerret një nismë e tillë. Populli i Kavajës respekton besimet fetare dhe bashkëqytetarëve duhet tu krijojmë të gjitha kushtet dhe mundësitë që të mund të kalojnë në paqe me veten dhe zotin muajin e Ramazanit. E ndryshe nga çdo herë tjetër, menduam që edhe gratë e vajzat e qytetit të Kavajës të kenë një ceremoni të veçantë, duke u ndjerë edhe ato të vlerësuara. Gjatë gjithë këtij muaji kemi shtruar shumë iftarë por ky i sotmi mund të konsiderohet ndër më të veçantët. Eshtë një mesazh për gruan kavajase, por edhe atë shqiptare. Eshtë një mesazh i përfshirjes së tyre në jetën aktive ekonomike, sociale e politike të vendit. Në Kavajë gjithkush ndihet i vlerësuar, dhe kjo do të vazhdojë gjatë gjithë këtyre viteve” shprehet Elvis Rroshi, kreu i bashkisë së Kavajës në përgatitjen e iftarit të pasdites së sotme në këtë qytet.
Gratë dhe vajzat që janë afruar për iftarin kanë ardhur në kohën e përcaktuar në Medresenë e qytetit për të qenë pjesë e respektit jo vetëm ndaj qytetit të tyre, por edhe ndaj organizatorëve.