Përfaqësuesit e Bordit Ndërkombëtar të Paqes, i krijuar në kuadër të një iniciative të mbështetur nga Presidenti Donald Trump, ku bën pjesë edhe Shqipëria dhe Kosova, pritet të hyjnë për herë të parë në Rripin e Gazës në ditët në vijim.

Lajmi konfirmohet nga televizioni publik izraelit KAN, që raporton se përfaqësuesit e Nickolay Mladenov, i emëruar nga Trump si përfaqësues i lartë i bordit për Gazën, i kanë paraqitur ushtrisë izraelite një kërkesë zyrtare për hyrje në enklavën palestineze.

Nëse ndodh, vizita do të ishte e para që nga krijimi i Bordit të Paqes në fillim të këtij viti. Burime brenda bordit, të cituara nga transmetuesi izraelit, thanë se grupi palestinez Hamas “nuk e ka kuptuar se duhet të çarmatoset”, duke shtuar se vrasja e udhëheqësve të krahut të armatosur të grupit, Brigadat Al-Qassam, është “pjesë e procesit të çarmatosjes së Hamasit”.

Të martën në mbrëmje, sulmet izraelite në perëndim të Gazës vranë Mohammed Aëda-n, kreun e brigadave.

Sipas raportimit, Mladenov ka paraqitur javën e kaluar një plan me 15 pika për zbatimin e nismës së Trump në Gaza. Plani parashikon edhe krijimin e një force shumëkombëshe të quajtur “Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit”, përfaqësuesit e së cilës pritet gjithashtu të vizitojnë Gazën muajin e ardhshëm.

SHBA pritet të përfshihet më fort në zhvillimet në Gaza pas zbutjes së tensioneve me Iranin, ndërsa kjo vizitë shihet si sinjali i parë i angazhimit të ri amerikan.

Më 16 janar, Shtëpia e Bardhë miratoi strukturat e qeverisjes kalimtare për Gazën, ndërsa takimi i parë i Bordit të Paqes u mbajt më 19 shkurt në Uashington, në Institutin e Paqes të Shteteve të Bashkuara në Uashington nën udhëheqjen e Trump.ku mori pjesë edhe kryeministri Edi Rama.

Iniciativa ishte pjesë e fazës së dytë të planit 20-pikësh të Trump që synonte t’i jepte fund luftës në Gaza, i mbështetur nga një rezolutë e Këshillit të Sigurimit të OKB-së nga nëntori i kaluar.

Lufta në Gaza nisi në tetor 2023, ndërsa sipas shifrave palestineze, mbi 72 mijë palestinezë janë vrarë dhe më shumë se 172 mijë të tjerë janë plagosur, shumica gra dhe fëmijë.