Një ligj i dedikuar për inteligjencën artificiale, që synon të rregullojë zhvillimin, tregtimin dhe përdorimin e sistemeve të inteligjencës artificiale në vend, sipas ligjeve të Bashkimit Evropian.
Këtë synon Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, e cila ka propozuar një draft me 106 nene dhe 13 anekse, i hedhur tashmë për konsultim publik, që nëse miratohet do të ishte i pari në Shqipëri.
Drafti synon jo vetëm rregullimin e përdorimit të Inteligjencës Artificiale, por gjithashtu edhe parandalimin e rreziqeve që vjen prej AI, si ato në shëndet, siguri, të drejta themelore, demokraci, shtetin e së drejtës dhe mjedis.
Në nenin 5 të projektligjit përcaktohen një sërë ndalimesh, që drafti i quan praktika ndaluese. Mes tyre përfshihen sistemet që përdorin teknika manipuluese ose mashtruese për të ndikuar në sjelljen e individëve, sistemet që shfrytëzojnë dobësitë e personave për shkak të moshës, aftësisë së kufizuar ose gjendjes ekonomike, si dhe sistemet e vlerësimit social të individëve.
Gjithashtu ndalohet përdorimi i sistemeve të identifikimit biometrik “në kohë reale” në hapësira publike, pra njohja me kamera inteligjente përmes fytyrës, përveç në rastet kur përdorimi është domosdoshmërish i nevojshëm nga autoritetet ligjzbatuese për kapjen e personave të rrezikshëm apo parandalimin e një situata rreziku. Në këto raste përdorimi do të konfirmohet vetëm nga një vendim gjykate.
Drafti kërkon që për sistemet me rrezik të lartë të krijohet “një proces i vazhdueshëm dhe interaktiv” i menaxhimit të rrezikut gjatë gjithë ciklit të jetës së produktit. Drafti ka një rregullim të gjerë të atyre që i quan sisteme AI me rrezikshmëri të lartë.
Sistemet duhet të zhvillohen mbi baza të dhënash që janë “të rëndësishme, mjaftueshëm përfaqësuese, dhe sa më shumë të jetë e mundur, pa gabime dhe të plota”, me masa për identifikimin dhe zbutjen e paragjykimeve algoritmike. Inteligjenca artificiale, sidomos sistemet me rrezik të lartë, duhet të dizajnohen dhe zhvillohen në mënyrë të tillë, duke përfshirë mjete të përshtatshme ndërfaqeje njeri-makinë, që të mund të mbikëqyren në mënyrë efektive nga njeriu gjatë periudhës në të cilën janë në përdorim. Pra, një mbikëqyrje të posaçme nga njeriu
AKSHI përcaktohet në projektligj si autoriteti kryesor për Inteligjencën Artificiale”, me rol në zbatimin dhe monitorimin e sistemeve që janë krijuar.
Projektligji përfshin dispozita që synojnë të mbështesin inovacionin dhe zhvillimin e teknologjive të reja. Ai parashikon krijimin e “sandbox-eve rregullatore për AI”, të cilat përkufizohen si mjedise të kontrolluara ku ofruesit mund të zhvillojnë, trajnojnë dhe testojnë sisteme inovative të inteligjencës artificiale nën mbikëqyrjen e autoriteteve. “Sandbox-e” mund të jetë edhe në nivel rajonal ose lokal, ose në bashkëpunim me autoritetet kompetente të vendeve të tjera.
Në relacionin e projektligjit, propozuesit thonë se drafti është hartuar duke marrë në konsideratë standardet dhe praktikat më të mira të Bashkimit Evropian si dhe rekomandimet ndërkombëtare në fushën e inteligjencës artificiale.

Kliko këtu për të lexuar projektligjin e plotë

Kliko këtu për të lexuar relacionin e plotë
Komente








