South Outdoor Festival startoi mbrëmjen e së enjtes në fshatin turistik të Borshit. Emra të njohur të muzikës shqiptare dhe DJ të huaj performuan në skenën e improvizuar në natyrë. Festivali do të zhvillohet përgjatë 4 netëve, deri të dielën, ku do të ngjiten në skenë të tjerë këngëtarë të njohur.
“Këto lloj aktivitetesh janë jeta jonë. E pritëm me shumë kënaqësi ftesën. Për mua është hera e parë që jam në këtë lloj koncerti dhe ka një superorganizim”, tha Redon Makashi.
![]()
“Për artistin është gjithnjë kënaqësi për të qenë në skena të mëdha. Dhe në çfarëdolloj mundësie që kemi e shfrytëzojmë dhe kjo është një mundësitë e pakta dhe sigurisht që do jetë shumë bukur ”, shprehet Elton Deda.
Interesi është i lartë me spektatorë nga gjithë bota.
“Unë vij nga Tirana për South Outdoor dhe do të qëndroj për tre netë bashkë me shoqërinë ”, thotë një vizitor vendas.
“Është hera e parë që vijmë. Shpresojmë që të kalojmë bukur dhe besoj se do kalojmë bukur” ,shprehet një turiste e ardhur nga Tirana.
“E dua këtë vend. Ky është vendi më i mirë që mund të gjenim. Kjo është hera ime e dytë që vij në Shqipëri është dita ime e tretë këtu dhe e dua vendin tuaj. Kam ardhur për pushime për të shijuar peizazhin e natyrës dhe gjithçka këtu”, u shpreh një turiste e huaj.
South Outdoor festival vjen kështu për të gjashtin vit radhazi në Borsh, edhe është promotor i zhvillimit të turizmit në jug të vendit.

